Javën e ardhshme, afati i fundit për apelimin e vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë edhe pak ditë kohë për të paraqitur njoftimet për apel ndaj aktgjykimit të shkallës së parë.

Afati i 27 nëntorit është data e fundit kur ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar mund të dorëzojnë njoftimet për apel kundër aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, shkruan IndeksOnline.

Ky afat është caktuar nga Paneli i Apelit më 29 shtator 2026, pasi kishte shqyrtuar kërkesën e mbrojtjes për zgjatjen e kohës në dispozicion për përgatitjen e njoftimeve për apel.

Fillimisht, afati për dorëzimin e njoftimeve për apel ishte caktuar më 16 tetor, por ekipet e mbrojtjes kërkuan më shumë kohë, duke argumentuar se aktgjykimi është i gjatë dhe kompleks, se përballeshin edhe me afate të tjera procedurale dhe se aktgjykimi nuk ishte përkthyer në gjuhën shqipe.

Mbrojtja kishte kërkuar që afati të shtyhej deri më 15 dhjetor, por Paneli i Apelit e pranoi pjesërisht kërkesën, duke vendosur një zgjatje prej gjashtë javësh dhe duke caktuar 27 nëntorin si afat përfundimtar për të dyja palët.

Aktgjykimi i shkallës së parë është 2 mijë e 89 faqe, çka e bën atë aktgjykimin më të gjatë të nxjerrë deri më tani nga Dhomat e Specializuara, sipas njoftimeve të gjykatës.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale i dënoi ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi, me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimin me 13 vjet burgim.

Të katër u shpallën fajtorë për vepra të krimeve të luftës, ndërsa u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përfundimtar dhe mund të kundërshtohet në procedurën e apelit.

Me dorëzimin e njoftimeve për apel deri më 27 nëntor, palët duhet të identifikojnë pjesët e aktgjykimit që synojnë t’i kundërshtojnë.

Pas këtij hapi procedural, palët kanë 60 ditë kohë për të dorëzuar dosjet e plota të apelit, ku argumentet për kundërshtimin e aktgjykimit duhet të elaborohen më në detaje.

Nga ana tjetër, institucionet e vendit javën e ardhshme do të punojnë në një ligj të ri që përcakton dhe përkufizon dispozitat dhe kompetencat e Dhomave të Specializuara.

Qeveria tashmë ka formuar edhe grupin punues shtetëror për apelimin e vendimit të Hagës, i cili ka mbajtur dy mbledhje deri më tani.

Artikuj të tjerë

Back to top button