
Në ditën kur Kosova po feston 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, në Prishtinë nga ora 14:00 pritet të fillojë një marsh gjithëpopullor në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë për krime lufte.
Platforma qytetare “Liria ka Emër” organizon këtë marsh më 17.02.2026, me moton “Drejtësi, jo politikë”. Sipas organizatorëve, numri i pjesëmarrësve pritet të jetë mbi 200 mijë, të cilët do të kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, duke e shënuar këtë si një nga tubimet më të mëdha në historinë e Kosovës.
Platforma “Liria ka Emër” ka njoftuar se ka koordinuar organizimin e transportit në bashkëpunim me përfaqësues lokalë, me qëllim që çdo qytetar që dëshiron të marrë pjesë në marsh të ketë mundësi të sigurt dhe të organizuar për të udhëtuar drejt Prishtinës. Ndërkohë, organizatorët kanë theksuar se fjalimet gjatë protestës nuk do të jenë politike, ndërsa në skenë do të interpretojnë Ilir Shaqiri, Lyrical Son dhe Arbnora Zogjani.
Protesta është mbështetur nga Presidentja Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, ministri i Jashtëm Glauk Konjufca dhe pothuajse nga të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës. Mbështetje kanë shprehur edhe udhëheqës politikë nga Shqipëria dhe politikanë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut. Marshi është përkrahur gjithashtu nga figura të ndryshme të kulturës dhe sportit, kryesisht nga Kosova.
Mijëra qytetarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe diaspora kishin marrë pjesë në protestën e organizuar nga OVL-UÇK në Prishtinë më 07.08.2025, kundër Gjykatës Speciale, ku po gjykohen ish-krerët e UÇK-së.Protesta të tilla, me të njëjtin qëllim, ishin mbajtur edhe në Tiranë, Shkup dhe Hagë.Sidoqoftë, në Hagë po vijon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin.Deri më tash, mbrojtja ka dhënë fjalët përfundimtare për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin, ndërsa ZPS-ja ka kërkuar edhe disa orë shtesë për të paraqitur disa kundërpërgjigje.



