AGK: Të dhënat private të gazetares Ardiana Thaçi-Mehmeti shpërndahen në grupin me 70 mijë anëtarë në “Discord”

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është thellësisht i shqetësuar pasi është njoftuar se të dhënat personale (numri i telefonit) i gazetares së Kiks Kosova, Ardiana Thaçi-Mehmeti janë shpërndarë ilegalisht në një grup në rrjetin “Discord”, që numëron 70 mijë anëtarë.

Sipas AGK-së, gazetarja ka marrë dhjetëra mesazhe me përmbajtje eksplicite seksuale, të enjten mbrëma nga anëtarët e këtij grupi.

“Kjo ndodh pak muaj pasi që gazetarja Thaçi – Mehmeti raporti gjerësisht për grupin e ngjashëm në Telegram, të njohur si AlbKings, ku shpërndahen numra dhe të dhëna personale të grave me qëllim të denigrimit”, tha AGK-ja.

Asociacioni i Gazetarëve dënon fuqishëm këtë ngacmim të tmerrshëm online ndaj gazetares, dhe e sheh si fushatë të re hakmarrëse për shkak të punës dhe raportimit të saj.

“AGK-ja qëndron të solidaritet të plotë me të”, u tha në reagim.

AGK-ja i ka bërë thirrje Policisë dhe Prokurorisë që urgjentisht të hetojnë administratorët e grupit dhe të punojnë në mbylljen e menjëhershme të tij.

“AGK-ja gjithashtu pret që iniciatorët të mbahen përgjegjës para drejtësisë”, tha AGK-ja në reagimin e saj. 

Artikuj të tjerë

Back to top button