
Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës e ka dënuar në mënyrën më të ashpër shpërndarjen e paligjshme të të dhënave personale të gazetares Ardiana Thaçi-Mehmeti në një grup në “Discord” me 70 mijë anëtarë, çka ka rezultuar me dhjetëra mesazhe me përmbajtje eksplicite seksuale ndaj saj.
Sipas RrGGK-së, “ky është një akt i qartë i dhunës digjitale me bazë gjinore dhe një përpjekje për të frikësuar, poshtëruar dhe heshtur një gazetare për shkak të punës së saj profesionale”.
“Sulme të tilla synojnë të dekurajojnë gratë nga raportimi dhe pjesëmarrja e tyre në hapësirën publike dhe mediatike”.
Rrjeti i Grave Gazetare shpreh solidaritet të plotë me Ardiana Thaçi-Mehmeti dhe kërkon veprim urgjent nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria për të hetuar rastin, për të identifikuar dhe ndëshkuar përgjegjësit, si dhe për të siguruar mbylljen e menjëhershme të grupit ku po ndodh ky abuzim.
“Dhuna dhe ngacmimi seksual online ndaj gazetareve nuk është vetëm sulm ndaj një individi, është sulm ndaj grave në media dhe ndaj lirisë së shprehjes”, u tha në reagimin e RrGGK-së.



