Sërish dështon zgjedhja e kryesuesit: Kandidati ngre alarmin se politika po ndikon te disa anëtarë të Këshillit Gjyqësor

Ka dështuar sërish zgjedhja e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Kjo në mungesë të kuorumit, pasi disa anëtarë kanë munguar vazhdimisht, duke thënë se janë të sëmurë.

Kandidati për kryesues, Rrustem Thaqi, ka thënë se zgjedhja e kryesuesit është proces me rëndësi të madhe.

“Kërkoj të mos keqkuptohem për mosprezencën e kolegëve, qoftë për arsye shëndetësore, apo për arsye të tjera, sepse nuk dua askënd ta gjykojë, por dua të shpreh shqetësimet e mia. Unë jam njëri nga kandidatët për kryesues të KGJK-së, dhe për mua nuk është e rëndësishme a zgjidhem apo jo kryesues i KGJK-së. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të zgjidhet kryesuesi, nëse e shikojmë në retrospektivë, mënyrën e veprimit të KGJK-së, rezulton se në këtë institucion nuk ka qenë e zakonshme dështimi i takimeve në mungesë të kuorumit. Kemi përgjegjësi për dështimin e takimeve, dhe moszgjedhjen e kryesuesit. Unë besoj se zgjedhja e kryesuesit është aspekt ceremonial. KGJK-ja është organ kolegjial ku puna dhe procesi duhet të jetë transparente, votimi duhet të jetë i lirë, e të zgjedhurit duhet të jenë të legjitimuar nga shumica e anëtarëve të KGJK-së, të cilët sipas vullnetit të lirë e të pandikuar votojnë për një kandidat”, tha ai. 

Më tutje, Thaqi ka alarmuar duke thënë se disa anëtarë të KGJK-së, po i sinkronizojnë veprimet me parti të caktuara politike. Ai nuk përmendi emra të anëtarëve e as të partive, por tha se po pamundësohet funksionimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

“Procesi i zgjedhjes së kryesuesit varet nga vota jonë, që duhet të jetë e lirë dhe e pakushtëzuar për avancimin e sistemit gjyqësor, për të trajtuar çështje të rëndësishme. Sot nuk do të them asgjë të panjohur, nëse zgjedhja e kryesuesit është proces që i intereson jashtëzakonisht politikës dhe grupeve të tjera të caktuara. Ky nuk është shqetësimi im, dhe kjo nuk është pengesë. Është dhe do të jetë e panjohur, e paparë deri më tash, dhe e papranueshme, nëse ne anëtarët e KGJK-së, sinkronizojmë veprimet me struktura politike apo grupe të interesit, për të ndikuar jo vetëm në zgjedhjen kryesuesit, por edhe në sigurimin e pavarësisë në KGJK”, tha Thaqi më tutje.

“Sinkronizimi i veprimeve me struktura politike me grupe të interesit e persona të tjerë, nënkupton saktësisht dështimin e procesit të zgjedhjes së kryesuesit. Çdo tendencë për të influencuar anëtarët aktualë të KGJK-së, për të favorizuar anëtarë të KGJK-së, dhe çdo tendenë për presion nga jashtë apo brenda KGJK-së. Është detyrë e jona si aëntar të forcojmë e promovojmë pavarësinë e sistemit gjyqësor. Unë personalisht nuk do të jemë kurrë palë me askënd për interesa të ditës, në këmbim të mbështetjes që të dorëzojë pavarësinë time si anëtar i KGJK-së”, tha ai.

Anëtari tjetër Artan Abazi ka deklaruar se nuk ka asnjë dëshmi nga anëtarët që po mungojnë, që kanë probleme shëndetësore.

“Më lejoni ta shpreh shqetësimin tim të madh për mungesë me qëllim apo pa qëllim. Po i bëj dy vite si anëtar i KGJK-së, dhe nuk ka ndodhur të kemi mungesë të kuorumit që tri javë. Nuk po mbajmë mbledhje të rëndësishme për ta zgjedhur kryesuesin e KGJK-së, këtë e dinë më së miri pse ata që po mungojnë. Secili anëtar i KGJK-së duhet ta ketë primare, ka përgjegjësi kushtetuese e ligjore që të jetë në mbledhje të KGJK-së. Njëri prej tyre duhet të zgjedhet, ne duhet t’ua mundësojmë kuorumin. Dua të shpreh shqetësimin që këto Emaile për mungesë në mbledhje, pa e paragjykuar gjendjen shëndetësore, nuk kam asnjë letër që po mungon për arsye shëndetësore. Nuk jam njoftuar pse ka munguar anëtari, nuk kam parë fare fakte që ka munguar për arsye shëndetësore. Te mungesa e anëtarit të dytë, prap nuk kemi dokumente shëndetësore, nuk e dimë pse po mungon. Ne si anëtarë, meqenëse kemi përgjegjësi kushtetuese, ne duhet t’u japim llogari të gjithëve, pse po dështon zgjedhja e kryesuesit”, tha ai.

Artikuj të tjerë

Back to top button