
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, dha detaje për rastin ku u sekuestruan 136 kg sasi marihuane në Kaçanik, ku theksoi se pos arrestimit të tre personave të dyshuari dhe sekuestrimit të drogës, janë sekuestruar edhe tri vetura, një motor me katër rrota dhe 680 euro para të gatshme.
Sipas tij, gjatë operacionit, njëra nga veturat e dyshuara, në përpjekje për t’i ikur Policisë, ka shkaktuar aksidente trafiku, ndërsa zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin edhe armët e zjarrit për ta ndaluar.
Ai potencoi se dyshohet për përfshirjen edhe të një zyrtari policor në këtë veprimtari kriminale.
“Njëra nga veturat e përfshira në këtë rast ngre dyshime për implikimin e një zyrtari policor në këtë veprimtari kriminale. Inspektorati Policor i Kosovës është angazhuar për të hetuar dhe sqaruar plotësisht rrethanat e rastit”, u shpreh Sveçla.
Ministri theksoi se “asnjë individ apo zyrtar nuk do të tolerohet të shkelë ligjin, e aq më pak të përfshihet në veprimtari kriminale që helmojnë rininë tonë”.



