Haxhiu: E kam ofruar pozitën e kryeparlamentares që të shmangen zgjedhjet

Ushtruesja e detyrës së presidentes, njëkohësisht kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se e ka ofruar pozitën e kryeparlamentares që vendi të mos shkojë në zgjedhje.

Ajo, ka thënë se ka kërkuar vazhdimin e takimeve nga partitë për të gjetur një zgjidhje për çështjen presidentit.

“Prandaj besoj që gjatë këtyre ditëve do të duhej që të ketë sërish takime, sepse unë i pashë me shqetësim deklarimet e subjekteve opozitare që thoshin që kjo temë tashmë është e mbyllur. Si ka mundësi që të jetë tema e mbyllur për sa kohë ne kemi afat deri të hënën, përkatësisht me 27 prill?”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu, ka deklaruar se mendon se me këtë qasje të opozitës nuk po tregohet përkushtim dhe vullnet që vendit t’i jepet një president me mandat pesëvjeçar.

“Duke pasur parasysh që i kemi edhe disa ditë para vete, përkatësisht 5-6 ditë para vete, mendoj që është shumë e rëndësishme që të rikthehen takimet, që të shtohet vullneti, të dëshmohet po ashtu vullneti, sepse nuk mund të ketë marrëveshje pa takime, dhe nuk mund të ketë marrëveshje nëse mungon vullneti nga palët. Ne kemi bërë aq sa kemi mundur, aq sa kemi pasur si me thënë në dorë prej nesh. Ju e dini që ne kemi ofruar edhe pozitën e Kryetarit të Kuvendit, sepse çka na duhet pozita e Kryetarit të Kuvendit nëse dikush e kërkon këtë dhe nëse kjo e parandalon zgjedhjet e jashtëzakonshme?”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka thënë se refuzimi i propozimeve të Kurtit nga PDK e LDK nuk i bën mire vendit.

“Unë kam dëgjuar së pari partitë politike që kanë thënë që nuk bën një subjekt politik t’i ketë tri pozitat: ta ketë Kryetarin e Kuvendit, ta ketë Qeverinë, pra Kryeministrinë, dhe në anën tjetër Presidencën. Prandaj kanë thënë që një nga pozitat e larta është pozita e Kryetarit të Kuvendit, le ta marrin.Kjo nuk është pozita ime. Domethënë nuk është pozita ime, nuk e kam me tapi. Njerëzit vijnë e shkojnë dhe mendoj që këtu duhet të dëshmojmë që e kemi për vendin dhe jo për interesat personale.”, ka thënë ajo.

Artikuj të tjerë

Back to top button