Abdixhiku nis përgatitjet për zgjedhjet e reja, planifikon tubime e takime në mërgatë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka zhvilluar një takim virtual me 88 nëndegët e LDK-së në mërgatë.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku bëri të ditur se ka njoftuar mërgatën lidhur me situatën aktuale politike në vend, konkretisht dështimin e bisedimeve për zgjedhjen e presidentit, shkruan TandemPress.

Abdixhiku shtoi se do të nisin menjëherë tubimet dhe takimet me mërgatën në rast të zgjedhjeve të reja.

“Në vijim të zhvillimeve të fundit, dhe në përgatitje për hapat e ardhshëm, mbajtëm një takim virtual me të gjitha 88 nëndegët e LDK-së në mërgatë. I njoftova për rrjedhën e proceseve negociuese, të cilat fatkeqësisht dështuan, përkundër vullnetit tonë maksimal dhe kërkesave tona minimale – veç demokraci. Por ky dështim nuk është fund; është moment kthese. Dhe atë kthesë e madhe per Lidhjen”, ka shkruar Abdixhiku.

“Folëm hapur për momentin politik dhe për domosdoshmërinë e bashkimit të së djathtës brenda LDK-së; si rruga e vetme për ta kthyer drejtimin e vendit dhe për të ndërtuar një alternativë të denjë për qytetarët. U dakorduam për mobilizim të plotë dhe nisjen e menjëhershme të përgatitjeve për tubime e takime në mërgatë. Mërgata jonë nuk është vetëm mbështetje; është pjesë vendimtare e kthesës që po ndërtojmë”, shtoi Abdixhiku.

Artikuj të tjerë

Back to top button