14 të arrestuar, 20 aksidente me të lënduar, armëmbajtje dhe dhunë në familje: Çfarë ndodhi në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit, sipas Policisë

Policia e Kosovës ka publikuar raportin 24-orësh, në të cilin janë evidentuar një sërë incidentesh kriminale dhe ngjarjesh të tjera në vend. Gjatë kësaj periudhe janë arrestuar 14 persona, ndërsa 6 persona janë dërguar në mbajtje.

Një nga rastet më serioze është raportuar në rrugën “Rrustem Statovci” në Prishtinë, ku një zjarr përfshiu një objekt banesor. Banorët u evakuuan nga policia, ndërsa zjarri u shua nga zjarrfikësit. Si pasojë, tre banorë dhe katër zjarrfikës pësuan lëndime trupore dhe morën trajtim mjekësor. Rasti është duke u hetuar.

Në Fushë Kosovë, një grua dyshohet se u sulmua fizikisht nga bashkëshorti i saj. Viktima mori trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari u arrestua dhe më pas u lirua në procedurë të rregullt.

Policia raportoi edhe dy raste të kanosjes ndaj zyrtarëve policorë. Njëri ndodhi në Prishtinë, ku një shofer kërcënoi një polic pasi u gjobit për përdorimin e telefonit gjatë vozitjes dhe iu konfiskua patentëshoferi. Rasti tjetër u raportua në Buricë të Podujevës, ku një person në kërkim për një rast ngacmimi dyshohet se ka kanosur verbalisht zyrtarët policorë.

Në Fushë Kosovë, një person pranoi se kishte shtënë me një armë me gaz gjatë një ahengu familjar. Policia konfiskoi armën, 5 fishekë dhe 30 gëzhoja, ndërsa i dyshuari u lirua në procedurë të rregullt. Ndërkaq, në Jezerc të Ferizajt u sekuestrua një pistoletë me karikator dhe tre fishekë, pasi i dyshuari pranoi se kishte shtënë dy herë me armë zjarri.

Në Obiliq, dy vëllezër u arrestuan pasi u përfshinë në një përleshje fizike për shkak të një mosmarrëveshjeje pronësore. Njëri prej tyre pësoi lëndime trupore, ndërsa policia konfiskoi një shufër metalike që dyshohet se u përdor gjatë konfliktit. Të dy u ndaluan për 48 orë.

Po ashtu, në Prishtinë u arrestuan një burrë dhe një grua pasi dyshohet se vodhën katër shishe me pije alkoolike nga një market. Në një rast tjetër në kryeqytet, një person u arrestua pasi iu gjet një thikë.

Në Kamenicë u arrestua një person nën dyshimin se i vuri zjarrin punëtorisë së babait të tij dhe tentoi t’i vinte zjarrin edhe një punëtorie tjetër. Ai u dërgua në mbajtje.

Në Gjakovë u raportua një rast i hetimit të vdekjes, pasi një burrë u gjet pa shenja jete në shtëpinë e tij. Ndërkohë, në Rahovec u arrestua një person për dhunë në familje, pasi dyshohet se kishte ofenduar bashkëshorten e tij.

Në Skenderaj, një person u arrestua pasi dyshohet se kanosi një tjetër duke i ekspozuar një armë zjarri. Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij u sekuestrua një armë e tipit TT me një karikator dhe shtatë fishekë, ndërsa ndaj tij u caktua masa e ndalimit prej 48 orësh.

Sa i përket sigurisë në trafik, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 20 aksidente me të lënduar, 30 aksidente me dëme materiale, ndërsa policia ka shqiptuar 1.561 tiketa trafiku. Fatmirësisht, nuk është shënuar asnjë aksident me fatalitet.

Artikuj të tjerë

Back to top button