ZRRE: Edhe nëse konsumatori shkyçet nga distanca, obligohet të paguajë tarifat prej 17 euro ndaj KESCO-s

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka thënë se edhe në rastet kur një konsumator i energjisë elektrike shkyçet e më pas rikyçjet në rrjet nga distanca përmes njehsorëve elektrikë smart, obligohet që të paguajë nga 17.70 euro tarifë për secilën procedurë.

Sipas ZRRE-së, kjo ndodhë për shkak se tarifat e tilla të shkyçjes dhe rikyçjes aplikohen sipas Rregullores për Shkyçjen dhe Rikyçjen e Konsumatorëve.“Taifa nuk është vetëm kompensim për punën fizike të kryer në terren, por është tarifë e rregulluar për ofrimin e shërbimit të shkyçjes dhe rikyçjes. Procesi përfshin administrimin e rastit, verifikimin e kushteve për shkyçje dhe rikyçje, përditësimin e sistemeve operative dhe kryerjen e procedurave përkatëse, pavarësisht nëse ndërhyrja realizohet fizikisht apo nga distanca”, kanë thënë nga ZRRE.

Sipas ZRRE-së, këto tarifa prej 17.70 euro për secilën procedurë, janë vendosur me synimin që të mbulojnë koston e ofrimit të këtyre shërbimeve dhe sipas ZRRE-së, sigurojnë trajtim të njëjtë për të gjithë konsumatorët.

ZRRE ka thënë se shuma e tarifave është përcaktuar duke u bazuar në analizën e kostove duke përfshirë atë të personelit, automjeteve dhe pajisjeve, kostot administrative dhe operative, kohën mesatare të nevojshme për ofrimin e shërbimit, si dhe shpenzime të tjera që lidhen me realizimin e shërbimit.

Rregullorja për Shkyçjen dhe Rikyçjen e konsumatorëve në rrjet është miratuar në mars të vitit 2017.

Artikuj të tjerë

Back to top button