ASK-ja publikon të dhënat për tetorin, çmimet vjetore u rritën për 7.1%

Inflacioni vjetor në Kosovë ka arritur në 7,1% gjatë tetorit 2026, ndërsa transporti ka shënuar rritjen më të madhe të çmimeve.

Sipas të dhënave të publikuara të martën nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), çmimet e konsumit në tetor janë rritur për 7,1% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Megjithatë, në krahasim me shtatorin 2026, inflacioni mujor ka qenë 0,0%, që nënkupton se niveli i përgjithshëm i çmimeve ka mbetur i pandryshuar.

Rritja më e madhe vjetore është regjistruar në sektorin e transportit, ku çmimet janë ngritur për 21,5%. Pas tij renditen strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse me 9,7%.

Sipas ASK-së, shtrenjtim është regjistruar edhe te pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët me 5%, restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 4,5%, si dhe kujdesi personal dhe shërbimet e ndryshme me 3,7%.

Ushqimet dhe pijet joalkoolike, që përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve të familjeve, janë shtrenjtuar për 3,2% në krahasim me tetorin e vitit 2025.

Ndërkohë, çmimet në shëndetësi dhe te mobiljet e pajisjet shtëpiake janë rritur për 2,9%, ndërsa veshjet dhe këpucët për 2,3%.

Në anën tjetër, ulje vjetore e çmimeve prej 0,3% është regjistruar vetëm te shërbimet arsimore.

Sa u përket ndryshimeve mujore, ASK-ja ka evidentuar rritje të çmimeve të strehimit, ujit dhe energjisë për 1,7%, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike janë shtrenjtuar për 1,1%.

Gjatë tetorit, transporti ka shënuar ulje mujore të çmimeve për 2,2%, kurse rekreacioni, sporti dhe kultura për 1,4%.

Artikuj të tjerë

Back to top button