Reagon redaksia e Kallxo.com pas sulmeve të Përparim Rames: Për shumë se 10 ditë nuk keni ofruar qasje në dosjet e legalizimeve

Redaksia e KALLXO.com është sulmuar sërish, pa asnjë bazë, nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili për më shumë se 10 ditë nuk ka ofruar qasje në dosjet e legalizimeve, një çështje që u shndërrua në temë diskutimi publik pas dërgimit të rastit në Prokurorinë Speciale nga asamblistët e Komunës së Prishtinës.

Në kohën kur KALLXO.com ka vazhduar të raportojë në mënyrë profesionale për dyshimet e ngritura publikisht lidhur me procesin e legalizimeve, sot, më 10.08.2026, kryetari i kryeqytetit, pa ofruar asnjë provë apo bazë për pretendimin e tij, ka akuzuar redaksinë tonë për tendencë për diskreditimin e shtetit.Një qasje e tillë ndaj raportimeve tona profesionale është e papranueshme dhe përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias në Kosovë.

Ne ia rikujtojmë z. Ramës se raportimet e KALLXO.com lidhur me kallëzimin penal për procesin e legalizimeve në Prishtinë kanë qenë vazhdimisht profesionale, kanë respektuar standardet e verifikimit të fakteve dhe u kanë ofruar të gjitha palëve të përfshira të drejtën për t’u përgjigjur.Për më tepër, puna jonë profesionale është penguar në vazhdimësi nga refuzimi konstant i Komunës së Prishtinës dhe i akterëve të përfshirë në këtë çështje për të dhënë sqarime të plota.Komuna e Prishtinës, për më shumë se 10 ditë, nuk ka ofruar qasje në dokumentacionin që lidhet me këto procese.KALLXO.com sqaron se më 31.07.2026 ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës qasje në dosjet e parcelave me numrat 058855-4, 3130-0, 05865-0 dhe 06189-26, të cilat janë denoncuar në Prokurorinë Speciale, me pretendimin se z. Florent Maliqi, shef i kabinetit të kryetarit Rama, ka kërkuar ose pranuar ryshfet për të mundësuar zhvillimin e procesit të legalizimit.

Megjithatë, deri më sot, gazetarët tanë nuk kanë marrë përgjigje pozitive për t’u qasur në këto lëndë.KALLXO.com, në kuadër të përpjekjeve të shumta për të siguruar përgjigje nga të gjithë akterët relevantë, ka tentuar gjithashtu të kontaktojë dhe intervistojë drejtpërdrejt Florent Maliqin, shefin e kabinetit të kryetarit. Megjithatë, kjo ka qenë e pamundur për shkak të refuzimit të tij.Duke e cilësuar deklarimin e z. Ramës si sulm të drejtpërdrejtë ndaj punës sonë profesionale, redaksia e KALLXO.com i bën thirrje kryetarit të Prishtinës që të tërhiqet nga gjuha denigruese dhe joprofesionale ndaj mediave dhe gazetarëve.

Artikuj të tjerë

Back to top button