
Një tjetër mesazh kërcënues ndaj Kosovës është shfaqur në territorin e Serbisë. Grafiti me mbishkrimin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është vendosur në Peruçac, në zonën e Bajina Bashtës.
Sipas raportimeve të mediave lokale serbe, mbishkrimi është shfaqur më 9 gusht në një mur përgjatë rrugës në drejtim të Mitrovacit, në Tarë. Grafiti është shkruar me shkronja të mëdha dhe me ngjyrat e flamurit serb.
Ky mesazh është parë prej vitesh në lokacione të ndryshme në Serbi, përfshirë Beogradin, ndërsa grafite me të njëjtën përmbajtje janë shfaqur edhe në veri të Kosovës
Shfaqja e fundit vjen një ditë pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, lidhur me lumin Ibër.
Vuçiq ka deklaruar se Serbia po mbledh ekspertë dhe inxhinierë për të shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.“Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, ka deklaruar Vuçiq.
Grafitet me këtë përmbajtje janë lidhur ndër vite edhe me grupet e tifozëve të klubeve të futbollit në Serbi. Megjithatë, shfaqja e fundit e tyre ka nxitur sërish reagime për shkak të përmbajtjes kërcënuese ndaj Kosovës


