
Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media pas mbledhjes së Grupit Parlamentar ka folur lidhur me ecurinë e bisedimeve me Vetëvendosje për formimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit.
Abdixhiku deklaroi se oferta e VV-së nuk ishte ofertë partneriteti.
“Fatkeqësisht, përgjigja e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ishte ofertë partneriteti. Ishte ofertë për pjesëmarrje pa peshë, për përgjegjësi pa ndikim dhe për një prani dekorative të LDK-së dhe për një qeverisje që do të kontrollohej tërësisht nga njëra palë. Në këtë përgjige LDK-së i ishin ofruar vetëm tre ministri dhe zëvendëskryeministri”, deklaroi Abdixhiku transmeton TandemPress.
Ai theksoi se LDK-ja me propozimin për presidentin donte stabilitet institucional.
“Lëvizjes Vetëvendosje ia kemi njohur të drejtën për të udhëhequr Qeverinë dhe Kuvendin, në pëputhje me rezultatin zgjedhor, pra rezultatin e popullit dhe rendin kushtetues. Pra, ua kemi njohur të drejtën që të kenë edhe kryeministrin edhe kryetarin e Kuvendit. Për LDK-në kemi propozuar që ta kemi përgjegjësine e presidentit së bashku me një rol në ekzekutiv. Kështu në pikëpamjen tonë do të kishim edhe stabilitet institucional edhe qeverisje të qëndrueshme me shumë vota dhe promovim të vlerave demokratike dhe mbi të gjitha do të kishim balancë institucionale me më të mirët e partive në shërbim te Republikës. Ndarja e balancuar nuk ishte për të goditur njëri-tjetrin por për të ndërtuar një ekuilibër të arsyesëm ndërmjet partnerëve”, shtoi kreu i LDK-së.



