
Policia e Kosovës ka konfiskuar armë, qindra fishekë, radiolidhje dhe pajisje të tjera ushtarake gjatë disa bastisjeve të zhvilluara të premten në Zubin Potok.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, gjatë bastisjeve në disa lokacione janë gjetur dhe konfiskuar armë të ndryshme, përfshirë një AK-47, revole dhe pushkë gjuetie.
Në njërën prej bastisjeve, në shtëpinë e një të dyshuari, policia ka konfiskuar një AK-47, një revole, 446 fishekë, 42 krehëra, një radiolidhje dhe pajisje të tjera ushtarake.
Në një tjetër lokacion janë gjetur 178 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një maskë gazi, dy radiolidhje dhe pajisje të tjera për armë.
Ndërkaq, gjatë bastisjeve në dy lokacione të tjera janë konfiskuar një pushkë gjuetie me leje, një revole dhe dy fishekë, si dhe 30 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe pesë gëzhoja të armëve të gjata.
Policia ka njoftuar se, me vendim të prokurorit, të gjitha rastet vazhdojnë në procedurë të rregullt.



