157 mijë nxënësve u aprovohet subvencionimi për librat

Ministria e Arsimit ende nuk e ka përfunduar verifikimin e të gjitha aplikimeve për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore.

Drejtoresha e Departamentit të Arsimit Parauniversitar, Anita Kadriu, ka bërë të ditur se deri më 21 gusht janë pranuar gjithsej 186 mijë e 777 aplikime, ndërsa janë trajtuar 158 mijë e 796 prej tyre.

Nga aplikimet e trajtuara, 157 mijë e 333 janë aprovuar, ndërsa 1 mijë e 463 janë refuzuar.
Kadriu ka thënë se verifikimi do të vazhdojë edhe gjatë fundjavës, me qëllim që procesi të përfundojë sa më shpejt.

“Po ju japim mundësinë edhe në vikend t’i verifikojnë aplikimet. Nga mesi i javës së ardhshme planifikohet të ekzekutohen mjetet e subvencionimit”, ka deklaruar ajo.

Ndërkohë, ende nuk është përcaktuar shuma që do t’u ndahet nxënësve të klasave 1–5 dhe 6–9 për blerjen e teksteve dhe materialeve shkollore.Ministria e Arsimit ka njoftuar një ditë më parë se prindërit nuk duhet të nxitojnë me blerjen e librave, pasi negociatat me shtëpitë botuese për çmimet nuk kanë përfunduar dhe katalogu përfundimtar ende nuk është publikuar.Sipas MASHTI-t, synimi është që nxënësit të pajisen me tekstet shkollore dhe mësimi të nisë më 1 shtator 2026.

Artikuj të tjerë

Back to top button