Kthimi i librave të subvencionuar nga shteti, obligim që nuk po zbatohet

Librat shkollorë që blihen me paratë e shtetit nuk janë pronë personale e nxënësve. Sipas rregullave në fuqi, ata duhet të ruhen gjatë vitit shkollor dhe të kthehen në shkollë në fund të tij, ndërsa për librat e humbur apo të dëmtuar përgjegjësia bie mbi prindërit.

Megjithatë, zbatimi i këtij rregulli vazhdon të jetë problematik. Disa prej këtyre librave shfaqen edhe në platformat online për shitje, ndërsa institucionet dhe prindërit kanë qëndrime të ndryshme për mënyrën se si duhet të menaxhohen dhe të ruhen tekstet e subvencionuara.

Në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prishtinë, kthimi i teksteve shkollore në fund të vitit është kusht për përfundimin e procesit mësimor. Drejtoria thotë se rreth 80 për qind e nxënësve i kanë kthyer tekstet e përdorura.

“Prej momentit kur ka filluar forma e subvencionimit me mjete financiare, ne e kemi aplikuar këtë rregull. Nuk kam pranuar të jap asnjë dokument pa u kthyer librat. Ka qenë kriter për përfundimin e vitit shkollor. Meqenëse mjetet ndahen për kokë nxënësi, librat duhet të blihen të rinj dhe të përdoren për qëllimin për të cilin janë dedikuar. Nuk është e drejtë që të merren mjetet dhe të keqpërdoren, ndërsa fëmijët të vijnë me libra të vjetër e me fletore pune të plotësuara. Kur mjetet ndahen pikërisht për materiale dhe libra të rinj, atëherë kjo duhet të respektohet”, tha Visar Osmani, drejtor i SHFMU “Emin Duraku” në Prishtinë.

Por, ndërsa shkollat kërkojnë kthimin e tyre, librat e subvencionuar nga shteti shfaqen edhe në platformat online, ku ofrohen për shitje me çmime nga 20 deri në 50 euro.

Sipas Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Arsimit, këto tekste nuk janë pronë personale e nxënësve. Ato duhet të ruhen dhe të kthehen në shkollë në përfundim të vitit shkollor. Në rast humbjeje apo dëmtimi, përgjegjësia për zëvendësimin e tyre bie mbi prindërit.

“Sipas Udhëzimit Administrativ në fuqi, ky është viti vijues në të cilin librat subvencionohen nga niveli i parë deri në nivelin e nëntë. Ndërkohë, në vitin pasues, librat, sipas Udhëzimit Administrativ, subvencionohen nga niveli i parë deri në të pestin. Të gjithë nxënësit në nivel të Kosovës, bazuar në legjislacionin në fuqi, janë të obliguar që t’i kthejnë mjetet mësimore, tekstet mësimore dhe materialet shkollore në fund të vitit në shkolla. Çdo dëmtim i tekstit mësimor duhet të kompensohet nga prindërit. Prandaj, ruajtja e teksteve mësimore është obligim për secilin nxënës”, tha Anita Kadriu, drejtoreshë e Departamentit për Arsim Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit.

Sipas njohësve të arsimit, problemi nuk qëndron te mungesa e bazës ligjore, por te zbatimi i saj.

“Sikurse Ligji për Arsimin Parauniversitar, njëjtë edhe Ligji për Tekstet Shkollore dhe Udhëzimi Administrativ për ruajtjen e teksteve shkollore datojnë dekada më herët. Pra, nuk është risi domosdoshmëria e ruajtjes së teksteve shkollore. Befasi është mosruajtja e tyre dhe mungesa e përgjegjësisë përse ka dështuar ruajtja dhe rikthimi i teksteve shkollore nga institucionet përkatëse, duke filluar nga vetë shkollat, të cilat asnjëherë deri më sot nuk i kanë nxitur nxënësit t’i rikthejnë ato, por edhe nga vetë institucionet komunale dhe Ministria e Arsimit, të cilat nuk ua kanë kujtuar apo nuk i kanë thirrur në përgjegjësi të tjerët për atë që parasheh legjislacioni për rikthimin e teksteve shkollore të subvencionuara nga Ministria”, tha Rinor Qehaja, njohës i çështjeve arsimore.

Për njohësin tjetër të arsimit, Argjend Osmani, përgjegjësia për ruajtjen e teksteve duhet të jetë e përbashkët.

“Përkujdesja ndaj teksteve mësimore, të cilat janë financuar nga paratë e taksapaguesve, duhet të jetë prioritet si nga ana e Qeverisë, ashtu edhe nga ana e nxënësve, gjegjësisht prindërve. Masa që është menduar, që në rast të dëmtimit apo humbjes së tyre prindërit t’i kompensojnë, mendoj se është e qëlluar.

Njëkohësisht, do të rritet edhe ndërgjegjësimi i shoqërisë që këto tekste të ruhen dhe të mund të shfrytëzohen edhe për gjeneratat e ardhshme”, tha Argjend Osmani, njohës i çështjeve arsimore.

Këshilli i Prindërve, në një përgjigje me shkrim, thotë se kthimi i teksteve nuk është obligim i ri, por se ky rregull ndër vite nuk është zbatuar sa duhet.

Sipas tyre, një nga arsyet lidhet me cilësinë e dobët të disa librave, përfshirë edhe cilësinë e letrës. Problem, thonë ata, paraqet edhe fakti se në disa tekste nxënësit duhet të shkruajnë drejtpërdrejt.//RTK

Artikuj të tjerë

Back to top button