
Anëtari i Aleancës, Daut Haradinaj, ka reaguar lidhur me masat që pritet të ndërmerren ndaj punëtorit të TrainKos, Asdren Ademit.
Siç ka raportuar edhe Klan Kosova, ndaj tij pritet të merret një vendim, përfshirë mundësinë e pezullimit apo ndonjë mase tjetër, pasi ai përmes një komenti në Facebook kishte bërë të ditur se riparimi i vagonëve të TrainKos i ishte besuar një kompanie në Serbi.
Drejtuesit e TrainKos kanë mohuar se komenti i tij është arsyeja për masat, ndërsa kanë konfirmuar se kontrata i është dhënë kompanisë që kishte ofertën më të volitshme, e cila rezultoi të ishte nga Serbia.
Lidhur me këtë, Haradinaj ka adresuar kritika të drejtpërdrejta ndaj ministres në detyrë, Artane Rizvanolli.
“Kjo është turp për ty, zonja ministre! Demantoje që nuk është e vërtetë ajo që po thotë. Ama, mos harro, mandati të përfundon, ndërsa ajo që ke bërë do të të përcjellë gjithmonë”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj më pas ka publikuar edhe një dokument, duke e shoqëruar reagimin e tij me këtë dëshmi.



