
Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar përmes një shkrimi të gjatë, duke folur për atë që e ka cilësuar si propagandë të padrejtë ndaj tij, vëllait dhe familjes së tij.
Pacolli ka përmendur deklaratat e bëra ndër vite nga avokatë, opinionistë, gazetarë dhe persona të tjerë, të cilët, sipas tij, kanë ngritur akuza dhe pretendime ndaj tij dhe familjes së tij.
Ai ka thënë se organet e Prokurorisë kanë dëshmuar se ndaj tij dhe vëllait të tij nuk ishte ngritur asnjëherë hetim apo aktakuzë.
Pacolli ka hedhur akuza të rënda ndaj Valon Ademit dhe ish-administratorit të VIA-s, Valon Llukës, duke pretenduar se kompania MABCO ka pësuar dëme të mëdha financiare.
Ai ka paralajmëruar se në të ardhmen do të publikojë fakte dhe dokumente lidhur me pretendimet e tij për keqpërdorime financiare, blerje të kamionëve, fatura të dyshuara false dhe transaksione të tjera.
Pacolli ka kërkuar gjithashtu që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të lejojë një auditim financiar, të cilin thotë se e kanë kërkuar që nga tetori i vitit të kaluar.
Në fund, ai është shprehur se shpreson që drejtësia në shtetet ku kanë vepruar personat e përmendur do të zbardhë, siç i ka cilësuar ai, këto raste.



