Prokuroria e Prishtinës,aktualisht ka mungesë të 29 prokurorëve

Këshilli Prokurorial i Kosovës po e mban takimin e 302-të, ku para anëtarëve të këshillit është raportuar për punën dhe sfidat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë gjatë vitit 2025.

Zëvendëskryeprokurori Arianit Salihu bëri të ditur se kjo prokurori aktualisht funksionon me 46 prokurorë, ndërsa i mungojnë edhe 29 të tjerë për ta arritur numrin e nevojshëm.

Sipas tij, mungesa e stafit dhe numri i madh i lëndëve kanë bërë që orari i rregullt i punës të mos jetë i mjaftueshëm.

“Orari nga ora 08:00 deri në 16:00 nuk funksionon, pasi për shkak të ngarkesës së madhe duhet të punohet vazhdimisht për t’u përballuar puna”, deklaroi Salihu.

Ai tha se mbi 80 për qind e lëndëve që trajton Prokuroria e Prishtinës pranohen nga Policia e Kosovës. Ngarkesa e lartë, sipas tij, lidhet edhe me territorin e gjerë që mbulon kjo prokurori, përfshirë kryeqytetin.

Gjatë raportimit u diskutua edhe shpërndarja e lëndëve ndërmjet prokurorëve. Para KPK-së u tha se disa prokurorë kanë rreth 300 lëndë në punë, ndërsa të tjerë pothuajse përgjysmë më pak.

Salihu e pranoi se dallime të tilla ekzistojnë, por tha se norma vjetore është realizuar me sukses.

Në mbledhje u evidentua edhe mungesa e të dhënave për Njësitin për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në formularin e raportimit. Salihu njoftoi se kjo njësi ka arritur efikasitet prej 88.9 për qind në zgjidhjen e lëndëve me kryerës të njohur.

Aktualisht, Njësiti funksionon me pesë prokurorë, dy më pak krahasuar me vitin 2025. Sipas Salihut, ai duhet të vazhdojë punën, pasi trajton lëndë komplekse, voluminoze dhe me interes të lartë.

Në takim u diskutua edhe kthimi i lëndëve nga Prokuroria e Apelit në Prokurorinë Themelore. Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, tha se ky “ping-pong” me lëndët ndikon në zvarritjen e procedurave dhe në performancën e përgjithshme të prokurorive.

Në fund, KPK-ja e miratoi raportimin me kusht që të plotësohet me të dhënat për Njësitin për Krime Ekonomike dhe Korrupsion.

Artikuj të tjerë

Back to top button