
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka hapur tender në vlerë të parashikuar prej 20 mijë eurosh për shenjëzimin dhe digjitalizimin e zonave të mbrojtura të natyrës në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.
Sipas njoftimit për kontratë, projekti parasheh vendosjen e tabelave informative në hyrjet e parkut, tabelave informative-ndaluese prej druri, tabelave ndaluese metalike, si dhe rampave ndaluese prej metali apo çeliku.Kontrata është paraparë të realizohet brenda një periudhe prej dy muajsh nga dhënia e saj.
Për realizimin e projektit, operatori ekonomik duhet të dëshmojë se ka të paktën një ekspert të GIS-it dhe një gjeodet të licencuar, ndërsa kërkohet edhe përvojë në realizimin e së paku një kontrate të ngjashme me vlerë minimale prej 30 mijë eurosh gjatë tri viteve të fundit.
Operatori fitues do të jetë i obliguar të garantojë cilësinë dhe qëndrueshmërinë e tabelave dhe elementeve të vendosura në terren, me një garanci prej së paku një viti.
Tenderi do të zhvillohet përmes procedurës së hapur, ndërsa kriteri për dhënien e kontratës është çmimi më i ulët.
Afati i fundit për dorëzimin e tenderëve është 28 shtator 2026, në ora 13:30, përmes platformës E-Prokurim. Hapja e tenderëve është paraparë të bëhet po atë ditë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.



