
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kritikuar verdiktin e Gjykatës Speciale ndaj krerëve të UÇK-së.
Përmes një video në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se dënimi është një padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm.
“Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm. Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit. Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë. Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të ish krerëve të UÇK-së dhe të gjithë bashkëluftëtarëve çlirimtarë”, ka thënë ai, duke folur për historikun e krijimit të Speciales.
“Siç e dimë, me akuzat në Këshillin e Evropës nga deputeti rus Konstantin Kosaçev dhe ai serb Millosh Alligrudiq filloi gjithçka më 15 prill 2008, por ne duhet të sigurohemi që asgjë nuk përfundoi sot më 16 shtator 2026. Asgjë prej pretendimeve e akuzave të ekzagjeruara e absurde mbi të cilat është arsyetuar ngritja e Dhomave të Specializuara, duke nisur prej Shtëpisë së Verdhë e trafikimit të organeve, nuk ka mundur të ngritej nga vetë Prokuroria, për shkak të mungesës së provave”, ka thënë ai.
Në fund të adresimit të tij, ai ka thënë se shteti do t`i mbështet krerët e UÇK-së në procedurën e apelit.
“Kosova do të vazhdojë të mbështesë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin në procedurën e apelit, në mbrojtje të plotë, dinjitoze dhe institucionale. Kjo është përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë dhe besim në të drejtën për ta kundërshtuar një aktgjykim që ende nuk është përfundimtar. Sot u gjykuan akuza dhe veprime të caktuara; nuk u gjykua dhe nuk mund të dënohet arsyeja pse lindi UÇK-ja e as të njolloset ajo. Sepse kur atdheu nuk duroi më gjakatarë, ai thirri çlirimtarë, dhe emri i tyre ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka shkruar ai.



