Kryeprokurorja e suspenduar e Pejës deklaron 12 prona prej 712 mijë eurosh dhe një pishinë 40 mijë euro

Lumturije Vuçetaj, e suspenduar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës më 29 tetor 2026, ka deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit 12 pasuri të paluajtshme, me vlerë të përgjithshme prej 712 mijë eurosh. Në mesin e tyre është një pishinë prej 50 metrash katrorë, e vlerësuar në 40 mijë euro, e deklaruar si pronë e përbashkët me bashkëshortin. Shumica e pronave të tjera figurojnë në pronësi të bashkëshortit të saj dhe janë trashëguar në vitin 2019 nga gjyshja e tij.

Në emër të Vuçetajt figurojnë një Mercedes-Benz me vlerë 12 mijë e 500 euro dhe të hyrat e saj vjetore nga paga e përvoja e punës, ndërsa në emër të fëmijëve është deklaruar një BMW.

Lumturije Vuçetaj, e cila deri në suspendimin e saj më 29 tetor 2026 drejtonte Prokurorinë Themelore në Pejë, ka deklaruar në APK pasurinë e saj dhe të familjes për vitin 2026.

Sipas formularit të dorëzuar më 16 mars 2026, në kategorinë e pasurive të paluajtshme figurojnë 12 prona, me vlerë të përgjithshme të deklaruar prej 712 mijë eurosh.

Megjithatë, kjo shumë nuk përfaqëson pasuri vetëm në pronësi të kryeprokurores. Shumica e pronave figurojnë në emër të bashkëshortit të saj, ndërsa njëra është deklaruar si pronë e përbashkët.

Pishina 40 mijë euro dhe shtëpia 140 mijë euro

Në mesin e pasurive të paluajtshme është një pishinë prej 50 metrash katrorë, e ndërtuar në vitin 2022 dhe e vlerësuar në 40 mijë euro. Në formular, kjo pronë figuron në pronësi të përbashkët të Lumturije Vuçetajt dhe bashkëshortit të saj.

Për ndërtimin e pishinës, Vuçetaj ka deklaruar një kredi prej 30 mijë eurosh në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT), të marrë më 28 qershor 2022. Kjo kredi, me afat fillestar 36 muaj, figuron e shlyer plotësisht, me detyrim të mbetur zero euro.

Në emër të bashkëshortit figuron edhe një kredi tjetër prej 10 mijë eurosh në TEB, e marrë për të njëjtin qëllim. Në formularin e vitit 2026, kjo kredi ka detyrim të mbetur prej 3 mijë e 326 eurosh e 47 centësh.transmeton Insajderi

Njëra prej pronave me vlerë më të lartë është shtëpia prej 240 metrash katrorë, e vlerësuar në 140 mijë euro. Ajo figuron në pronësi të bashkëshortit dhe, sipas deklarimit, është ndërtuar në vitin 2001 nga kursimet.

Në emër të tij është deklaruar edhe një tokë prej 625 metrash katrorë, e blerë në vitin 2009 nga kursimet, me vlerë prej 15 mijë eurosh.

Pronat e trashëguara nga gjyshja e bashkëshortit

Pjesa më e madhe e pasurive të paluajtshme të deklaruara figuron në pronësi të bashkëshortit të Vuçetajt. Sipas formularit, këto prona janë trashëguar në vitin 2019 nga gjyshja e tij.

Në mesin e tyre është një arë prej 4 mijë e një metrash katrorë, e vlerësuar në 160 mijë euro, ku bashkëshorti figuron me pjesëmarrje prej 1/3.

Një tjetër pronë është kullosa prej 64 mijë e 401 metrash katrorë, e vlerësuar në 64 mijë euro, ku pjesëmarrja e tij është 1/27.

Në listën e trashëgimisë figurojnë edhe një kullosë prej 1 mijë e 126 metrash katrorë, me vlerë 44 mijë euro, një tjetër prej 229 metrash katrorë, me vlerë 10 mijë euro, si dhe një kullosë prej 3 mijë e 634 metrash katrorë, e vlerësuar në 36 mijë euro.

Bashkëshorti ka deklaruar gjithashtu një pyll prej 30 mijë e 823 metrash katrorë, me vlerë 31 mijë euro, një livadh prej 12 mijë e 884 metrash katrorë, me vlerë 58 mijë euro, si dhe një kullosë tjetër prej 5 mijë e 911 metrash katrorë, të vlerësuar në 60 mijë euro.

Në listë është edhe një truall prej 1 mijë e 256 metrash katrorë, me vlerë 54 mijë euro. Edhe këto prona figurojnë si trashëgimi nga gjyshja e bashkëshortit, me pjesë pronësie që ndryshojnë nga 1/3 në 1/27.

Çfarë ka në emër të Vuçetajt dhe të fëmijëve?

Në kategorinë e pasurive të luajtshme, Lumturije Vuçetaj ka deklaruar një veturë Mercedes-Benz, të blerë në vitin 2011 nga kursimet dhe të vlerësuar në 12 mijë e 500 euro. Kjo veturë figuron në pronësi të saj.

Ndërsa një BMW, e blerë në vitin 2019 përmes kredisë dhe e vlerësuar në 8 mijë euro, figuron në pronësi të fëmijëve me të cilët ajo jeton në bashkësi familjare.

Pra, për dallim nga shumica e pronave të paluajtshme, të cilat figurojnë në emër të bashkëshortit, Mercedes-Benz-i është deklaruar në emër të vetë kryeprokurores, ndërsa BMW-ja në emër të fëmijëve.

Të hyrat vjetore të familjes

Në deklarimin e vitit 2026, Vuçetaj ka raportuar 27 mijë e 561 euro e 12 centë të hyra vjetore nga paga neto, të siguruara nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Ajo ka deklaruar edhe 1 mijë e 534 euro e 56 centë për përvojën e punës. Krahas këtyre të hyrave, në formular figurojnë edhe pagesa për meditje dhe udhëtime zyrtare jashtë vendit.

Për udhëtime zyrtare në Shqipëri janë deklaruar 281 euro, në Kroaci 412 euro e 35 centë dhe 278 euro e 50 centë, ndërsa për udhëtime në Francë figurojnë 633 euro e 75 centë nga Këshilli i Evropës dhe 184 euro nga buxheti i Kosovës.

Në anën tjetër, bashkëshorti ka deklaruar 4 mijë e 800 euro të hyra vjetore nga paga në kompaninë “Semitronix” në Pejë, si dhe 1 mijë e 200 euro nga pagesat për mirëmbajtje administrative nga subjekti “Zelfije.I.Gashi” B.I.

Në të hyrat familjare janë përfshirë edhe 7 mijë e 312 euro e 32 centë nga paga e fëmijëve në kompaninë “Gjirafa”, si dhe 1 mijë e 800 euro nga pensionet për personat me aftësi të kufizuara.

Kështu, vetëm të hyrat e deklaruara nga pagat, përvoja e punës, mirëmbajtja administrative dhe pensionet e familjarëve arrijnë në 44 mijë e 208 euro, pa përfshirë meditjet dhe pagesat për udhëtime zyrtare.

Kreditë dhe detyrimet financiare

Përveç kredive të marra për ndërtimin e pishinës, Vuçetaj ka deklaruar edhe dy kredi personale në BKT, secila me vlerë fillestare prej 4 mijë eurosh.

Kredia e parë, e marrë në janar të vitit 2023, figuron me detyrim të mbetur prej 121 eurosh e 24 centësh. E dyta, e marrë në korrik të vitit 2024, ka detyrim të mbetur prej 2 mijë e 525 eurosh e 33 centësh.

Në emër të bashkëshortit figuron edhe një kredi prej 600 eurosh në KEP Trust, për nevoja personale, e cila është shlyer plotësisht.

Në deklarimin e pasurisë, Vuçetaj nuk ka raportuar aksione në shoqëri tregtare, letra me vlerë, kriptovaluta apo para të gatshme në llogari dhe depozita.

Të gjitha këto të dhëna janë pjesë e deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë të dorëzuar nga Lumturije Vuçetaj në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Formulari pasqyron pronësinë dhe vlerat e deklaruara nga zyrtarja, por vetvetiu nuk përbën konstatim për ndonjë parregullsi në prejardhjen e pasurisë.

Suspendimi është vendosur më 29 tetor 2026, me 50 për qind të pagës, deri në një vendim tjetër të KPK-së. Arsyetimi i KPK-së lidhet me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt dhe procedurën disiplinore ndaj Vuçetajt.

Artikuj të tjerë

Back to top button