Gazeta gjermane vendos në ballinë lajmin kryesor mbi vendimin e Hagës, ndaj ish krerëve të UÇK-së

Gazeta e njohur gjermane ka shkruar një artikull lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së.

Në të thuhet se dënimi i katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) me burgime të gjata nga gjykata në Hagë, mes tyre edhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është i rëndësishëm në disa aspekte.

Së pari, një akuzë e përsëritur ndër vite, se para drejtësisë përfundojnë vetëm autorët e vegjël ndërsa të mëdhenjtë shpëtojnë, është kthyer në të kundërtën.

Së dyti, është rrëzuar sërish pretendimi i nacionalistëve serbë se gjykatat ndërkombëtare të krimeve të luftës dënojnë vetëm serbët.

Së treti, aktgjykimi tregon edhe një herë se gjatë luftërave mund të kryhen krime nga palë të ndryshme, përfshirë edhe gjatë luftërave të shpërbërjes së Jugosllavisë në periudhën 1991–1999.

Nga Nurembergu në Hagë

Për shkak të numrit të madh dhe seriozitetit të krimeve të luftës, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara vendosi në vitin 1993 krijimin e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Pas proceseve të Nurembergut dhe Tokios, ky ishte një zhvillim i jashtëzakonshëm në drejtësinë ndërkombëtare.

Me rreth 140 mijë të vrarë dhe katër milionë refugjatë, vendimi për të ndjekur penalisht autorët kryesorë ishte një qasje strategjike e prokurorëve të parë të tribunalit, Richard Goldstone nga Afrika e Jugut dhe Louise Arbour nga Kanadaja.

Qëllimi ishte që drejtësia të mos përqendrohej vetëm te autorët e drejtpërdrejtë, por te personat që organizuan dhe drejtuan fushatat e dhunës dhe të spastrimit etnik.

Vrasja mbetet vrasje dhe viktimës nuk i ndryshon shumë arsyeja pse është vrarë. Megjithatë, në kontekstin e krimeve të kryera në ish-Jugosllavi gjatë viteve ’90, ekzistojnë dallime të rëndësishme.

Në thelb, bëhet fjalë për dy kategori kryesore: përndjekjen dhe vrasjen e njerëzve për shkak të përkatësisë së tyre etnike, pra krimet kundër njerëzimit, si dhe shkeljet e së drejtës ndërkombëtare humanitare, pra krimet e luftës.

Është e rëndësishme se të akuzuarit në rastin e Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij janë shpallur të pafajshëm për akuzën për krime kundër njerëzimit.

Në këtë kuptim, kritikat që vijnë veçanërisht nga Kosova janë të kuptueshme, pasi në krahasim me disa autorë të tjerë të krimeve në ish-Jugosllavi, të cilët janë dënuar me dënime të ngjashme, krimet për të cilat ata janë shpallur fajtorë mund të perceptohen si më të rënda.

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht kritikë ndaj gjyqtarëve, por është një element që bie në sy: një numër autorësh ballkanikë të dënuar për krime kundër njerëzimit kanë marrë dënime dukshëm më të ulëta se ai i shqiptuar ndaj Thaçit.

Biljana Plavshiq, një nga bashkëpunëtoret më të afërta të udhëheqësit serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me 11 vjet burgim, ndonëse u shpall fajtore për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Vojisllav Sheshel, ish-udhëheqës paramilitar serb dhe ish-zëvendëskryeministër në qeverinë e Sllobodan Millosheviqit, u dënua me dhjetë vjet burgim.

Jovica Stanisiq, ish-drejtor i shërbimit të inteligjencës së Millosheviqit, u dënua me 15 vjet burgim.

Ndërsa Vllastimir Gjorgjeviq, ish-gjeneral i policisë serbe dhe zëvendësministër i Brendshëm, u dënua me 18 vjet burgim për përgjegjësinë e tij në një sërë masakrash ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë.

Vetëm në masakrën e Mejës, në prill të vitit 1999, forcat serbe vranë rreth 400 civilë shqiptarë.

Këto krime janë krahasuar nga autori me krime të tjera masive, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë dhe masakrën e Buçës në Ukrainë.

Çështja e dënimit

Drejtësia në rastet e krimeve të luftës është veçanërisht komplekse. Çfarë dënimi është i përshtatshëm për dikë që ka vrarë 100 persona, krahasuar me dikë që ka vrarë mijëra apo dhjetëra mijëra?

Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij janë shpallur përgjegjës për vrasjen e 96 personave dhe për ndalimin dhe torturimin e qindra të tjerëve.

Një dallim i rëndësishëm, sipas aktgjykimit, është se nuk është provuar se viktimat janë vrarë vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike.

Bëhej fjalë për individë të caktuar, përfshirë persona të dyshuar si shqiptarë bashkëpunëtorë të Serbisë, kundërshtarë politikë, si dhe disa pjesëtarë të komuniteteve serbe dhe rome.

Aktgjykimi thekson se Prokuroria nuk arriti të dëshmojë se të akuzuarit kishin për qëllim dëbimin apo vrasjen në masë të personave që nuk ishin shqiptarë.

Po ashtu, në aktgjykim theksohet se shumica dërrmuese e viktimave ishin të pafajshme.

Reagimet në Kosovë dhe Serbi

Në Kosovë, aktgjykimi është kundërshtuar fuqishëm. Pas vendimit janë zhvilluar protesta në qytete të ndryshme, ndërsa pati edhe incidente dhe përplasje, përfshirë ato pranë EULEX-it.

Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan në vitin 2015 pas presionit të madh ndërkombëtar dhe u miratuan nga Kuvendi i Kosovës. Ato janë një institucion i Kosovës, por funksionojnë me gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.

Për një pjesë të madhe të opinionit në Kosovë, aktgjykimi shihet si një formë barazimi mes krimeve të kryera gjatë luftës, duke krijuar përshtypjen se krimet serbe po relativizohen.

Krahasimi mes rasteve të Vllastimir Gjorgjeviqit dhe Hashim Thaçit ngre pikëpyetje për dallimin në masën e dënimeve. Megjithatë, bëhet fjalë për dy gjykata të ndryshme dhe për raste që janë gjykuar në rrethana dhe me korniza juridike të ndryshme.

Protestat kundër aktgjykimeve për krime lufte nuk janë diçka e re në Ballkan. Në shumë raste, opinioni i shumicës në një vend i mirëpret dënimet e pjesëtarëve të grupeve të tjera, ndërsa reagon ashpër kur dënohet dikush nga grupi i vet.

Megjithatë, qëndrimet e qeverive kanë qenë të ndryshme. Serbia dhe Republika Srpska kanë kundërshtuar vazhdimisht tribunalet ndërkombëtare, ndërsa shumica e shteteve të tjera të rajonit kanë pranuar vendimet e tyre.

Autori argumenton se kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh se një pjesë e madhe e personave të dënuar nga tribunalet ndërkombëtare kanë qenë nga Serbia dhe Republika Srpska.

Në Serbi, sipas autorit, tribunalet ndërkombëtare shpesh paraqiten si të njëanshme dhe antiserbe, ndërsa luftërat në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë përshkruhen si luftëra civile dhe lufta e shqiptarëve të Kosovës si “terrorizëm”.

Si do të vazhdojë?

Drejtësia penale ndërkombëtare ka ndihmuar në sfidimin e versioneve të njëanshme të historisë së Ballkanit.

Fakti që politikanë dhe udhëheqës ushtarakë të përfshirë në krime lufte janë përballur me drejtësinë dhe, në disa raste, kanë marrë dënime të gjata me burgim, paraqitet si një zhvillim i rëndësishëm në drejtësinë ndërkombëtare.

Dokumentet dhe arkivat e gjykatave ndërkombëtare ofrojnë një bazë të gjerë dokumentare për të shqyrtuar krimet e kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.

Për miliona viktima të krimeve të luftës, gjenocidit, dhunës seksuale dhe dëbimeve, dënimi i autorëve mbetet një formë e kufizuar drejtësie.

Megjithatë, mbetet e hapur pyetja nëse ndjekja penale dhe dënimet do të kontribuojnë në pajtimin e qëndrueshëm në rajon.

Sipas autorit, për sa kohë që në Serbi vazhdon glorifikimi i personave të dënuar për krime lufte dhe mohohet përgjegjësia për krimet e së kaluarës, bashkësia ndërkombëtare duhet të mbetet e vëmendshme.

Artikuj të tjerë

Back to top button