
Punimet për ndërtimin e Palestrës Multisportive në Podujevë kanë ngritur shqetësime lidhur me materialin që po nxirret nga gërmimet në këtë lokacion.
Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhemajl Hasani, përmes një reagimi ka ngritur pyetje mbi destinacionin e materialit të larguar nga kantieri, duke kërkuar sqarime nga institucionet përgjegjëse.
“Fotot e punimeve për Palestrën Multisportive në Podujevë ngrenë një pyetje shumë serioze: ku po dërgohet materiali që po largohet nga ky lokacion dhe çfarë përmban ai?”, ka deklaruar Hasani.
Sipas tij, në zonën ku po zhvillohen gërmimet vërehen edhe materiale të depozituara më herët.
“Në pamje shihet qartë se në zonën ku po bëhen gërmimet ka pasur edhe mbetje/materiale të depozituara më herët. Nëse ky material përmban substanca të rrezikshme apo ndotëse, atëherë çështja nuk mund të trajtohet si dheu i zakonshëm dhe të shpërndahet pa kontroll”, ka thënë ai.
Hasani ka kërkuar të dihet se ku kanë përfunduar materialet e nxjerra nga kantieri, kush e ka përcaktuar destinacionin e tyre dhe nëse janë kryer analiza për përmbajtjen e tyre.
“Ku kanë përfunduar këto materiale? Kush e ka përcaktuar destinacionin e tyre? A janë analizuar? A ka dokumentacion për transportin dhe deponimin e tyre?”, ka pyetur Hasani.
Ai u ka bërë thirrje mediave dhe gazetarëve hulumtues që ta trajtojnë këtë çështje dhe të verifikojnë destinacionin e materialit të nxjerrë nga kantieri.
“Nëse ky material u është dhënë apo shpërndarë qytetarëve për nevoja të tyre, pa u informuar për përmbajtjen dhe pa u bërë analizat përkatëse, atëherë kemi një çështje që kërkon përgjigje institucionale dhe përgjegjësi të qartë, sidomos nëse ka rrezik për tokat bujqësore, ujin apo shëndetin e banorëve”, ka deklaruar ai.
Në fund, Hasani ka kërkuar nga Komuna e Podujevës, inspektoratet dhe institucionet përgjegjëse për mjedisin që të japin sqarime konkrete lidhur me destinacionin dhe sigurinë e këtij materiali.
“Institucionet duhet të dalin me fakte: ku ka shkuar ky material dhe a është i sigurt?”, ka përfunduar Hasani.



