
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i shkoi dje në zyre kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në një takim që erdhi pak ditë para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Një marrëveshje mes dy palëve do të evitonte shkuarjen në zgjedhje të reja,
Për zgjedhjen e presidentit, Kurtit i duhen votat e opozitës, ndërsa Hamza dhe partia e tij kanë një kërkesë ekskluzive që t’ia sigurojnë votimin e projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, njofton Klankosova.tv.
PDK e konsideron këtë çështje urgjencë para zgjedhjes së presidentit. Takimi mes kreut të VV-së dhe atij të PDK-së nuk solli ujdi.
Pas takimit, Hamza foli shkurtimisht para mediave dhe tha se u bisedua për procesin në Hagë, për nevojën që ligji të procedohet dhe të aprovohet në Kuvend, si dhe për zgjedhjen e presidentit.
“Biseduam për situatën aktuale politike që ka të bëjë me procesin në Hagë, me nevojën që ligji të procedohet dhe aprovohet në Kuvend, dhe tema zgjedhja e presidentit”, tha Hamza.
Sipas Hamzës, për PDK-në ndryshimi i Ligjit për Specialen është “nevojë dhe domosdoshmëri”, dhe pas kësaj ajo është e hapur të diskutojë për presidentin.
Ai theksoi se deri më tani nuk ka marrëveshje me Kurtin për temat e biseduara, por se është e mundshme që dy liderët të takohen edhe në ditët në vijim.
“Nuk ka marrëveshje deri më tani për temat për të cilat kemi biseduar. Është e mundshme që kemi takime edhe ditëve në vijim”, theksoi kreu i PDK-së.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës zhvilloi mbrëmë një mbledhje elektronike, ku i dha dritën e gjelbër ndryshimit të Ligjit për Specialen për ta dërguar projektligjin në Kuvend.
Sipas njoftimit të ekzekutivit, vendimi i përgjigjet kërkesës së Kuvendit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
“Miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës me nr. Prot.1108 të datës 23.09.2026, për Nismën legjislative për “Projektligjin Nr. 11/L- 001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, për të dhënë vlerësimin që përfshin: opinionin ligjor të përputhshmërisë me acquis të BE-së; vlerësimin e ndikimit buxhetor; dhe, opinionin ligjor lidhur me përmbajtjen e projektligjit në fjalë”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës është data 6 tetor sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në rast se Kuvendi nuk arrin ta zgjedh shefin e ri të shtetit, Kosova shkon automatikisht në zgjedhje të reja parlamentare.



