Nga sot e deri me 5 tetor në Podujevë do të zhvillohet faza e tretë e dezinfektimit në zonat përreth lumenjve Dumnicë Llap e Batllavë

Komuna e Podujevës ka njoftuar se nga 3 deri më 5 tetor 2026 do të zhvillohet faza e tretë e dezinsektimit të hapësirave të jashtme dhe zonave përreth lumenjve Llap, Dumnicë dhe Batllavë.

Sipas njoftimit, dezinsektimi do të realizohet përmes kontraktuesit të komunës, me qëllim të zvogëlimit të numrit të mushkonjave dhe insekteve të tjera fluturuese, si masë parandaluese ndaj përhapjes së sëmundjeve infektive. Komuna ka bërë të ditur se masa është ndërmarrë edhe në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Më 3 tetor, dezinsektimi do të kryhet rreth lumit Llap në qytet dhe në fshatrat Peran, Bajçinë, Dobërdol, Sekiraçë, Gllamnik, Siboc i Epërm dhe Penuhë.

Ndërkaq, më 4 tetor, aktiviteti do të zhvillohet rreth lumit Llap në Lluga, Lluzhan, Shakovicë dhe Lupç të Poshtëm, si dhe në fshatrat Sfeçël, Dumosh, Siboc i Poshtëm, Llugë, Bellopojë dhe Batllavë.

Dezinsektimi përreth lumenjve do të nisë nga ora 10:00, ndërsa ai në qytet, rrugë, rrugica dhe parqe nga ora 17:00.

Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë kohës së dezinsektimit t’i mbajnë dritaret të mbyllura, në mënyrë që të parandalohet hyrja e insekteve në hapësirat e banimit.

Njoftimi u drejtohet edhe shoqatave të bletarëve dhe pronarëve të bletëve, të cilëve u është kërkuar që gjatë ditëve të përcaktuara në plan të mos i nxjerrin bletët nga kosheret dhe t’i mbajnë ato të mbyllura gjatë gjithë ditës.

Artikuj të tjerë

Back to top button