
Ky është objekti në Komunën e Suharekës, investitor i të cilit është N.B., vjehrri i deputetes së AAK-së, Albana Bytyqi, e që është pjesë e një aktakuze të Prokurorisë Themelore në Prizren, shkruan TandemPress.
TandemPress ka kontaktuar deputeten e Aleancës, Albana Bytyqin lidhur me këtë rast por e njejta nuk është përgjigjur në thirrjet tona, po ashtu i kemi dërguar edhe pyetjet në të shkruar por nuk ka pasur ndonjë përgjigje.
Sipas aktakuzës, N.B. akuzohet për veprën penale “Ndërtimi pa leje”, pasi objekti dyshohet se është ndërtuar në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit.
Për objektin ishte lejuar etazhiteti B+P+2, ndërsa sipas aktakuzës është realizuar me B+P+3. Po ashtu, pretendohet se janë bërë tejkalime të vijave ndërtimore për rreth 730 metra katrorë sipërfaqe të ndërtuar përtej parametrave të lejuar.
Ky është objekti për të cilin është ngrituar aktakuzë ndaj katër personave në Suharekë, në fotot e sigurar nga TandemPress objekti shihet se është në përfundim e sipër.


Sipas Prokurorisë, këto tejkalime i kanë mundësuar investitorit përfitim në vlerë prej rreth 716 mijë euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm financiar në vlerën e taksave të papaguara.
Në të njëjtin rast janë akuzuar edhe dy zyrtarë komunalë, Hafir Maliqaj dhe Agim Demiri, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Prokuroria pretendon se zyrtarët nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme pas konstatimit të parregullsive në objekt, ndërsa gjatë një inspektimi të mëvonshëm nuk janë evidentuar të gjitha tejkalimet nga leja ndërtimore.
Në aktakuzë është përfshirë edhe A.H., pronar i kompanisë ndërtimore “B.P.”, e cila, sipas Prokurorisë, ka realizuar projektimin dhe punimet ndërtimore në objekt.
“A.H., si pronar i kompanisë ndërtimore ‘B.P.’, e cila ka realizuar projektimin dhe punimet ndërtimore në objekt, ka kryer punime ndërtimore në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit./TandemPress/
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata



