
Njoftimi i kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, se nga 5 tetori do të nisën punimet në segmentin e hyrjes së rrugës Gjilan – Prishtinë ka nxitur reagime të shumta nga qytetarët.“Nuk jemi asnjë kundër punimeve, po mbikëqyrni ato që janë nisur, le të përfundojnë më shpejt dhe qysh duhet”, ka shkruar Rrezart Rexhepi.
Sipas njoftimit të Hysenit, punimet zhvillohen në kuadër të projektit “Rehabilitimi dhe zgjerimi i rrugës N25.2, segmenti Bresalc – Gjilan (Hyrja Gjilan)” dhe pritet të zgjasin rreth dy muaj, me mundësi ndryshimi në varësi të dinamikës së punimeve.
Komuna ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe do të ketë kufizime në qarkullim dhe në qasjen e banorëve dhe bizneseve, ndërsa qytetarëve u janë rekomanduar rrugët alternative “Pajazit Ahmeti” dhe “15 Qershori”.
Megjithatë, në komentet e tyre në rrjetet sociale, disa qytetarë kanë shprehur shqetësim për numrin e madh të rrugëve që, sipas tyre, janë aktualisht në punime ose të kufizuara për qarkullim.
“O kryje nja deri në fund, mos kërceni cik-cak se gërrdit me dalë në qytet”, ka shkruar Nexhat A. Xhelili.
Shpëtim F. Ajvazi ka thënë se është në favor të punimeve, por ka ngritur shqetësimin për zhvillimin e tyre njëkohësisht në disa pjesë të qytetit.
“Krejt në rregull, po nuk bllokohet komplet qyteti nga të gjitha anët… Tmerr prej kolonave”, ka shkruar ai.
Edhe Rrezart Rexhepi ka kërkuar që fillimisht të përfundojnë projektet e nisura, duke përmendur disa zona ku, sipas tij, qarkullimi është vështirësuar. Ai ka theksuar se qytetarët nuk janë kundër investimeve në infrastrukturë, por kërkojnë mbikëqyrje dhe përfundim më të shpejtë të punimeve.
“Nuk jemi asnjë kundër punimeve, po mbikëqyrni ato që janë nisur, le të përfundojnë më shpejt dhe qysh duhet”, ka shkruar Rexhepi.
“Le të përfundojnë disa nga punimet që i keni nisur nëpër pjesë të ndryshme të qytetit, sepse nuk është në rregull që i gjithë qyteti të jetë i bllokuar. Nuk e di sa je në gjendje të dalësh me makinë nëpër qytet kur ke punë çdo ditë. Në Dheu të Bardhë është bllokuar rruga me kabllo që po vendosen nga KEDS-i dhe ju nuk keni dalë asnjëherë t’i shikoni se çfarë po bëhet me këto rrugë. E dini shumë mirë se si e keni pranuar punën në rrugën ‘Abdullah Presheva’, ku kanë mbetur shumë pjesë të dëmtuara pas asfaltimit. Pastaj ka nisur puna në Bulevard dhe është bllokuar e gjithë qendra. Në rrugën qarkore po punoni me gypat e ujësjellësit dhe edhe aty rruga është e bllokuar. Prandaj, përfundoni fillimisht ato punime që i keni nisur. Ne nuk jemi kundër punimeve, por mbikëqyrini ato që kanë filluar dhe bëni që të përfundojnë më shpejt dhe siç duhet. Sepse nuk e di më njeri nga do të kalojë me gjithë këto punime, sidomos duke pasur parasysh se nuk kemi ndonjë zgjidhje tjetër. Nafta është shtrenjtuar shumë, ndërsa ne qëndrojmë në kolona me vetura të ndezura dhe humbim kohë për shkak të rrugëve të bllokuara. Prandaj, faleminderit, kryetar, për të gjitha këto punë – apo ‘mos-punë’. Ju e dini më mirë”, ka shkruar ai.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Milaim Arifi, i cili ka kërkuar përfundimin e projekteve të nisura, duke ngritur shqetësime edhe për punimet në rrugën Gjilan–Uglari.
Reagimet tregojnë se debati mes qytetarëve nuk lidhet domosdoshmërisht me nevojën për investime infrastrukturore, por kryesisht me kohën, koordinimin dhe menaxhimin e punimeve në disa pjesë të qytetit njëkohësisht. Ndërkohë, Komuna e Gjilanit u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë shenjat e përkohshme të komunikacionit dhe udhëzimet në terren gjatë realizimit të projektit.



