
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një protestues është shoqëruar në stacion policor, nën dyshimin se ka poseduar dhe hedhur mjete piroteknike në drejtim të objekteve shtetërore gjatë protestës së sotme pranë Kuvendit.
Sipas Policisë, gjatë protestës persona të caktuar kanë tentuar kohë pas kohe të futen brenda rrethojave të Kuvendit, ndërsa janë hedhur edhe mjete të ndryshme dhe mjete piroteknike drejt objekteve shtetërore.
Policia thotë se ka kërkuar vazhdimisht nga protestuesit që të qëndrojnë të qetë dhe të mos dëmtojnë pronën publike.
Pavarësisht këtyre kërkesave, një protestues është shoqëruar për intervistim dhe procedura të mëtejme.
Policia ka bërë të ditur se zyrtarët policorë do të vazhdojnë të jenë të pranishëm në terren për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.



