“Albin, eja në Kuvend!” – Çitaku kërkon votimin e ligjit dhe qetësi në rrugë

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i është drejtuar edhe një herë publikisht kryeministrit Albin Kurti, duke kërkuar prej tij që të marrë pjesë në punimet e Kuvendit dhe të votojë në lexim të dytë Projektligjin për ndryshim/plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Përmes një reagimi, Çitaku ka bërë thirrje për qetësi dhe shmangie të tensioneve, duke kërkuar që policia të mos përdorë dhunë ndaj qytetarëve që po protestojnë në sheshe.

“Albin, eja në Kuvend. Eja dhe ta votojmë ligjin. Mos nxit. Mos provoko. Mos e urdhëro policinë të ushtrojë dhunë ndaj vajzave e djemve që sot janë në sheshe duke kërkuar drejtësi për një vepër që na dha lirinë”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka theksuar se në situatën aktuale nuk nevojiten përplasje dhe tensione, por përgjegjësi dhe guxim politik.

“Sot nuk na duhen përplasje. Nuk na duhen tensione. Nuk na duhet dhunë. Na duhet përgjegjësi. Na duhet qetësi. Na duhet guxim politik”, është shprehur ajo.

Çitaku i ka bërë thirrje Kurtit që, sipas saj, ta përmbushë përgjegjësinë politike duke qenë në Kuvend, duke dëgjuar qytetarët dhe duke votuar.

“E ke për detyrë të jesh në Kuvend. E ke për detyrë të dëgjosh qytetarët. E ke për detyrë të votosh”, ka shkruar ajo.

Çitaku e ka lidhur çështjen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se bëhet fjalë për historinë dhe dinjitetin e atyre që luftuan.

“Sepse kjo nuk është për një parti. Nuk është për një emër. Nuk është për një mandat. Është për UÇK-në. Është për historinë tonë. Është për dinjitetin e atyre që luftuan. Është për brezat që do të vijnë. UÇK-ja na bashkon. Sot më shumë se kurrë”, ka shkruar Çitaku.

Artikuj të tjerë

Back to top button