Prokuroria Speciale pushon hetimin ndaj Izedin Bytyqit për aferën e ambalazhuesve të ujit

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pushuar hetimin ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Mjedisit, Izedin Bytyqi, i cili ishte nën hetime për dyshime për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në rastin e njohur si “afera e ambalazhuesve të ujit”.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Bytyqi, i cili ka njoftuar se më 8 tetor ka pranuar aktvendimin për pushimin e hetimit, pas një procesi që, sipas tij, ka zgjatur rreth dy vjet.

Postimi i plotë:

Sot kam pranuar aktvendimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës me të cilin është pushuar hetimi ndaj meje, i zhvilluar për dy vite nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në lidhje me rastin e njohur publikisht si “afera e ambalazhuesve të ujit”.

Gjatë këtyre dy viteve, ndaj meje janë zhvilluar hetime të plota dhe janë ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, përfshirë masa të fshehta hetimore, kontrolle dhe verifikime të pasurisë, pronave, llogarive bankare, transaksioneve financiare dhe veprime të tjera hetimore. Pas gjithë kësaj kohe dhe pas shqyrtimit të provave dhe materialeve të mbledhura, Prokuroria ka marrë vendim për pushimin e hetimit, pasi nuk janë gjetur prova apo dëshmi që vërtetojnë se kam kryer veprën penale për të cilën jam hetuar.

Për mua ky vendim është një moment i rëndësishëm, sepse për dy vite kam qenë nën peshën e një dyshimi të rëndë penal, me gjithë pasojat personale, familjare, profesionale dhe reputacionale që një proces i tillë sjell.

E konsideroj të rëndësishme që opinioni publik të informohet për këtë zhvillim, veçanërisht për shkak se arrestimi dhe dyshimet ndaj meje në atë kohë ishin bërë publike dhe kishin krijuar një perceptim të rëndë në opinion.

Ky vendim nuk i fshin dy vitet e vështira që kam kaluar, por është një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të plotë të dinjitetit dhe reputacionit tim.

Dua të falënderoj miqtë, kolegët, familjaret dhe të gjithë ata që gjatë kësaj periudhe kanë besuar në mua dhe kanë pritur me durim përfundimin e procesit.

Artikuj të tjerë

Back to top button