
Një person i moshës 29-vjeçare ka mbetur i vrarë nga të shtënat me armë zjarri mbrëmjen e së dielës në fshatin Pogragjë të Gjilanit, shkruan TandemPress.
Rastin për TandemPress e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.
“Me datën 11.10.2026, rreth orës 19:30, kemi pranuar një informacion për të shtëna me armë zjarri në fshatin Pogragjë të komunës së Gjilanit”, ka deklaruar Osmani për TandemPress.
Ai ka bërë të ditur se pas pranimit të informatës, njësitë përkatëse policore dhe Prokurori i Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes.
“Sipas informatave fillestare, dyshohet se si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka humbur jetën një person i gjinisë mashkullore, i lindur në vitin 1997”, ka thënë Osmani.
Sipas tij, vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes e ka konstatuar ekipi mjekësor.
Ndërkohë, lidhur me rastin, një person i dyshuar është vënë në kërkim policor.
“Një person i dyshuar mashkull kosovar, i njohur për Policinë, është vënë në kërkim policor, pasi dyshohet se pas kryerjes së veprës është larguar nga vendi i ngjarjes”, ka bërë të ditur Osmani.
Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë përkatëse hetimore, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit./TandemPress/


