Arrijnë vaksinat kundër gripit sezonal në Kosovë, nis shpërndarja në QKMF

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar për arritjen e vaksinave në Kosovë kundër gripit sezonal.

IKShPK ka bërë të ditur se sot ka filluar shpërndarja e tyre në të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare.

“Vaksinimi do të fillojë pas përfundimit të shpërndarjes së vaksinave në QKMF dhe njësitë e tyre. Për informata të detajuara rreth fillimit të vaksinimit, qytetarët mund të kontaktojnë institucionin më të afërt të kujdesit parësor shëndetësor në komunën e tyre”, thuhet në njoftim.

MSH dhe IKShPK u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër gripit sezonal, veçanërisht personave që u përkasin grupeve me rrezik të lartë.

“Grupet që rekomandohet të vaksinohen me prioritet janë: Personat mbi 65 vjeç, Personat me sëmundje kronike, përfshirë sëmundjet e zemrës, mushkërive, diabetin, sëmundjet e veshkave dhe ato që dobësojnë sistemin imunitar, Gratë shtatzëna, Fëmijët me sëmundje kronike dhe ata që kanë indikacion për vaksinim sipas rekomandimeve shëndetësore, Personat që jetojnë në institucione të kujdesit afatgjatë, Profesionistët shëndetësorë dhe personat e tjerë që ofrojnë kujdes shëndetësor”, thuhet në njoftim.

Artikuj të tjerë

Back to top button