
Ministria e Mbrojtjes ka ndarë mbi 567 mijë euro për ndërtimin e poligoneve të reja në kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gjakovë dhe Dumosh, si dhe për renovimin e një poligoni në kazermën në Prishtinë.
Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, vlera e përgjithshme e saj është 567 mijë e 125 euro e 79 centë.
Kontrata i është dhënë grupit të operatorëve ekonomikë EUROKOS HOLDING SH.P.K. dhe VIA, ndërsa kriter për dhënien e saj ka qenë çmimi më i ulët
Në procedurën e prokurimit kanë marrë pjesë tre tenderues. Vlera e parashikuar e kontratës ishte 580 mijë euro.
Sipas dokumentit të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes, kontrata është dhënë më 16 tetor 2026, ndërsa nënshkrimi i saj ishte planifikuar për 26 tetor 2026.
Punimet synojnë rritjen e operacionalitetit dhe efikasitetit në kryerjen e detyrave të FSK-së, në përputhje me misionin e saj.



