Abdixhiku në hapjen e Galerisë së Arteve: Me kulturën dhe punën e përkushtuar, do të ndryshojmë Kosovën

Kandidati për Kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, bashkë me Gazin dhe drejtoreshën e Kulturës Xhenet Syka, morën pjesë në hapjen e Galerisë së Arteve të renovuar në Prishtinë, ku u ekspozua koleksioni personal i fotografive të artistit Korab Basha me titullin “Keep Calm and Smile”. Ekspozita pasqyronte vlerat e Ushtrisë së Kosovës dhe punën e jashtëzakonshme që po bëhet në këtë komunë.
Në fjalimin e tij, Abdixhiku theksoi se kultura e punës është ajo që e dallon çdo komunë që qeveriset nga LDK-ja. Ai shprehu angazhimin për ta sjellë këtë kulturë në nivel qendror, duke u fokusuar në investime dhe projekte të mëdha për zhvillimin e kulturës dhe trashëgimisë kombëtare.
Në këtë kuadër, Abdixhiku paraqiti planet e LDK-së për të realizuar disa projekte madhore, duke përfshirë:
- Ndërtimin e Teatrit të Operas dhe Baletit “Dr. Ibrahim Rugova” dhe Teatrit të Ri Kombëtar të Kosovës.
- Krijimin e Muzeut të Paqes dhe Rezistencës.
- Adoptimin e 10 Qendrave Multifunksionale në 10 qytete të Kosovës.
Abdixhiku e theksoi se kultura është shpirt i popullit dhe se me qeverinë e tij, do të investohet në mbështetje të krijimtarisë dhe zhvillimit të kulturës, duke i dhënë asaj një rol të rëndësishëm në frymëzimin dhe forcimin e identitetit kombëtar. “Ndryshimin në kulturë do ta bëjmë bashkë!”, tha Abdixhiku, duke shpallur një angazhim të fortë për të sjellë përparim në këtë sektor jetik për vendin.