
Qytetarët kanë nisur të mblidhen në Prishtinë për protestën kundër vrasjes së grave, ku kërkohet drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi institucionale për rastet e dhunës ndaj grave në Kosovë.
Protesta organizohet nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, i cili ka bërë thirrje për një protestë gjithëkombëtare, me kërkesë të veçantë për drejtësi për Arlinda Zekajn.
Përmes kësaj proteste, pjesëmarrësit synojnë të kërkojnë llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse, masa më efektive për parandalimin e dhunës në familje dhe mbrojtje më të mirë për gratë që përballen me dhunë.
Rastet e fundit të vrasjes së grave në Kosovë kanë nxitur reagime të shumta publike dhe kanë rikthyer në vëmendje kërkesat për përgjegjësi institucionale dhe veprime konkrete për garantimin e sigurisë së tyre.



