Policia sekuestron dy armë, njërën në Klinë dhe tjetrën në Pejë

Policia e Kosovës ka sekuestruar dy armë zjarri dhe gjithsej 39 fishekë në dy raste të ndara në rajonin e Pejës dhe Klinës.

Rasti i parë është raportuar më 14 nëntor në Pejë, ku një person dyshohet se kishte kanosur një grua përmes rrjeteve sociale. Pas hetimeve, i dyshuari është arrestuar më 16 nëntor. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, dy karikatorë dhe 13 fishekë.

Ndërkaq, rasti i dytë është regjistruar në orët e para të 17 nëntorit, rreth orës 00:50, në fshatin Gllarevë të Klinës. Gjatë një kontrolli në pikë kontrolli, zyrtarët policorë kanë ndaluar një automjet, ku kanë gjetur një pistoletë, një karikator dhe 26 fishekë, të cilat dyshohet se ngasësi i automjetit i posedonte pa leje.

Edhe personi i dytë është arrestuar dhe shoqëruar në polici për procedura të mëtejme.

Me konsultimin e prokurorit kompetent, të dyja rastet do të trajtohen në procedurë të rregullt.

Artikuj të tjerë

Back to top button