
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në dy grabitje të armatosura të argjendarive në Gjakovë. Gjatë bastisjeve janë sekuestruar një veturë Golf 7, armë zjarri, një sasi ari dhe mbi 7 mijë euro para të gatshme. Në njërën nga grabitjet, një person ishte plagosur me armë zjarri.
Sipas Policisë, grabitja e parë kishte ndodhur më 5 nëntor, rreth orës 17:15, në rrugën „Nënë Tereza“, ku dy persona të maskuar dhe të armatosur kishin kërcënuar pronarin e argjendarisë dhe kishin marrë ari në vlerë rreth 30 mijë euro, si dhe 2 mijë euro para të gatshme.
Grabitja e dytë ishte kryer më 16 nëntor, rreth orës 16:50, në një argjendari në rrugën „Izet Hima“. Në këtë rast, njëri nga të dyshuarit dyshohet se kishte qenë i armatosur me një armë të gjatë të tipit AK-47, ndërsa tjetri kishte përdorur çekan për të thyer vitrinën dhe për të marrë stolitë e arit.
Gjatë grabitjes, njëri nga personat e pranishëm kishte tentuar t’ia merrte armën të dyshuarit, por ky i fundit kishte shtënë me armë zjarri dhe e kishte plagosur atë në këmbën e djathtë.
Pas hetimeve dhe analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, policia ka arritur të identifikojë dy persona të dyshuar nga komuna e Deçanit.
Më 17 nëntor, hetuesit rajonalë, në bashkëpunim me njësitet e tjera policore, kanë realizuar bastisje në pronën e njërit prej të dyshuarve, A. U., i lindur në Gjermani dhe me banim në Deçan. Aty është gjetur vetura që dyshohet se është përdorur në grabitje, një armë zjarri dhe para të gatshme.
Kontroll është kryer edhe te i dyshuari tjetër, L. I., po ashtu nga Deçani, ku janë gjetur prova që ndërlidhen me rastin.
Si prova materiale janë sekuestruar 7.330 euro, 100 dollarë, një veturë Golf 7, një sasi ari, dy telefona mobilë dhe veshmbathje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjeve.
Policia bën të ditur se dy të dyshuarit dyshohet se janë të përfshirë në të dy rastet, ndërsa operacioni hetimor është ende në vazhdim.



