
Qumështorja VITA ka reaguar lidhur me kontrollet dhe dyshimet e ngritura së fundmi ndaj produkteve të saj, duke kërkuar transparencë të plotë dhe hetim nga Prokuroria e Shtetit.
Sipas kompanisë, që nga 2 korriku janë marrë mbi 650 mostra dhe janë kryer më shumë se 30 inspektime, ndërsa VITA pretendon se deri tani nuk i është dorëzuar asnjë rezultat i analizave.
VITA thotë se fillimisht ishte përballur me dyshime për përdorim të vajit të palmës, më pas për qumësht pluhur dhe ujë pusi, pretendime që, sipas saj, nuk janë vërtetuar.
Kompania thotë se tashmë është paraqitur një mostër prej një litri qumësht, me pretendimin se një lot prodhimi ka tejkaluar kufirin e lejuar të aflatoksinës M1, .
Përmes reagimit, VITA kërkon që Prokuroria të hetojë të gjitha procedurat, nga marrja e mostrave deri te analizat laboratorike dhe veprimet e institucioneve përgjegjëse. Po ashtu, kërkon qasje në rezultatet e analizave dhe verifikim të pavarur të mostrës së kontestuar.
Kompania thekson se gjatë 25 vjetëve të veprimtarisë nuk është përballur me raste të dëmtimit të shëndetit të konsumatorëve dhe thotë se produktet e saj prodhohen me qumësht vendor.
“Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë drejtësi, trajtim të barabartë dhe që e vërteta të dalë në dritë”, thuhet në reagimin e VITA-s.



