Arrestohen katër të dyshuar për sulm ndaj policëve në veri

Katër persona janë arrestuar në Mitrovicën e Veriut, nën dyshimin për përfshirje në një sulm fizik ndaj dy zyrtarëve policorë, të cilët në kohën e incidentit ishin jashtë detyrës zyrtare.


Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 18 nëntor, rreth orës 01:20, në një lokal në rrugën “Boris Kidriç”.

Dy zyrtarët policorë fillimisht janë fyer nga disa persona për shkak të punës së tyre zyrtare, ndërsa më pas, pasi kanë dalë nga lokali, janë sulmuar fizikisht.
Si pasojë e sulmit, njëri nga zyrtarët policorë ka pësuar lëndime të rënda trupore, sipas vlerësimit të mjekut kujdestar.

Policia ka bërë të ditur se dy të dyshuar janë arrestuar në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë janë identifikuar dhe shoqëruar në stacion policor gjatë hetimeve.
Gjatë veprimeve policore janë sekuestruar edhe dy armë me leje, të cilat, sipas Policisë, u përkisnin dy prej të dyshuarve.
Të katër të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.


Rasti po hetohet në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Artikuj të tjerë

Back to top button