
Duke pasur parasysh erërat e forta që po mbizotërojnë aktualisht në Vushtrri dhe paralajmërimet se edhe nesër priten erëra të forta, Komuna e Vushtrrisë apelon te të gjithë qytetarët për kujdes të shtuar.
Në njoftim, apelohet që qytetarët të tregojnë kujdes të veçantë gjatë lëvizjes dhe qarkullimit në trafik, si dhe të shmangin qëndrimin në zona ku mund të rrezikoheni nga rrëzimi i drurëve, degëve apo objekteve të tjera si pasojë e erës.
“Me qëllim të parandalimit të incidenteve dhe mbrojtjes së qytetarëve dhe pronës së tyre, rekomandohet që qytetarët të kenë parasysh këto udhëzime:
Të sigurojnë objektet dhe sendet e lehta në ballkone, oborre dhe hapësira të jashtme.
Të kontrollojnë dhe sigurojnë tabelat reklamuese, skelat dhe strukturat e tjera që mund të rrëzohen nga era.
Të shmangin qëndrimin pranë drurëve, objekteve dhe strukturave të paqëndrueshme.
Të tregojnë kujdes të veçantë gjatë qarkullimit rrugor, sidomos në zonat e ekspozuara ndaj erërave të forta.
Apelojmë te të gjithë qytetarët që t’u përmbahen këtyre rekomandimeve dhe të kontribuojnë në parandalimin e situatave të rrezikshme”, përfundon njoftimi.



