
Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit ka nisur rrënimin e gjashtë objekteve pa leje në zonën përreth Liqenit të Ujmanit.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, e cila përmes një postimi ka njoftuar se bëhet fjalë për katër veranda dhe dy shtëpi të ndërtuara pa leje.
Ministrja ka theksuar se mbrojtja e liqeneve dhe burimeve ujore është përgjegjësi e përbashkët, duke paralajmëruar se nuk do të tolerohen ndërtime të paligjshme në zonat përreth tyre.
“Ligji do të zbatohet pa përjashtim”, ka deklaruar Pacolli.
Pacolli ka bërë të ditur se aksioni vjen pas rrënimit të ndërtimeve ilegale dhe pastrimit të zonës përreth Liqenit të Radoniqit, ndërsa pas Ujmanit, aktivitetet do të vazhdojnë edhe në zonat përreth liqeneve të Batllavës dhe Badovcit.



