Kultivuan mbi gjysmë ton marihuanë, ngrihet aktakuzë ndaj tre personave në Suharekë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave me inicialet F.N., M.A. dhe B.A., të cilët ndodhen në paraburgim, lidhur me rastin e zbulimit të 512 kilogramëve marihuanë në fshatin Maqitevë të Suharekës.

Sipas aktakuzës, tre të pandehurit dyshohet se në bashkëkryerje kishin kultivuar bimë të kanabisit në dy parcela në një zonë malore të këtij fshati. Për këtë qëllim, ata dyshohet se kishin instaluar edhe sistem të ujitjes me rezervuar uji dhe gypa me sistem pikë-pikë.

Aktiviteti i tyre ishte zbuluar më 16 shtator 2025, kur gjatë kontrolleve në një shtallë ishin gjetur dhe sekuestruar 512 kilogramë marihuanë, të cilat ndodheshin në fazën e tharjes dhe përgatitjes për shpërndarje dhe shitje në treg.

Përveç narkotikëve, gjatë kontrolleve janë sekuestruar edhe armë, përfshirë një raketë krahu antitank, një mortajë dore, një pushkë gjuetie, një pushkë gjysmëautomatike dhe municion.

Të pandehurit akuzohen për kultivim të bimëve të kanabisit, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, si dhe për mbajtje të paautorizuar të armëve.

Prokuroria i ka propozuar gjykatës që të pandehurit, pas shqyrtimit gjyqësor, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Gjithashtu, ka kërkuar konfiskimin e përhershëm të dy parcelave me sipërfaqe prej 1,963 dhe 1,438 metrash katrorë, shtëpisë, shtallës, narkotikëve, armëve, municionit, telefonave mobilë, traktorit me rimorkio dhe pajisjeve të tjera që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprave penale

Artikuj të tjerë

Back to top button