Arrestohet i dyshuari që mashtroi duke pretenduar se vuante nga leukemia, grumbulloi mbi 189 mijë euro

Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar një person me inicialet E.A., i dyshuar për mashtrim, pasi pretendohet se kishte sajuar se vuante nga leukemia akute për të përfituar para.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari, nga 9 nëntori 2026, me qëllim të përfitimit pasuror, kishte pretenduar se ishte i prekur nga kjo sëmundje, ndonëse pas verifikimeve është konstatuar se nuk vuante nga një sëmundje e tillë.

Ai dyshohet se kishte hapur një llogari në platformën “GoFundMe” dhe kishte zhvilluar fushatë për grumbullimin e parave në Kosovë dhe diasporë, kinse për shërim dhe rehabilitim.

Shuma e grumbulluar përmes kësaj fushate arrin në 189 mijë e 206 euro e 8 centë.

Pas pranimit të informacioneve të para, Prokuroria dhe Policia kanë ndërmarrë veprime, duke bllokuar paratë në të gjitha llogaritë bankare të evidentuara si të lidhura me rastin. I dyshuari ishte vendosur edhe në kërkim policor.

Ai u arrestua më 21 nëntor, rreth orës 22:00, ndërsa me vendim të prokurorit është dërguar në ndalim për 48 orë.

Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afateve ligjore do të paraqesë kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjilan për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Artikuj të tjerë

Back to top button