
Inspektorati i Natyrës, në bashkëpunim me rojet e natyrës të Drejtorisë së Administratës së Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, ka zhvilluar të dielën një aktivitet në zonën e Moknës, me qëllim të parandalimit të qarkullimit të pakontrolluar të mjeteve motorike jashtë rrugëve të lejuara.
Përmes një njoftimi, Inspektorati ka rikujtuar se Mokna, si zonë e propozuar për mbrojtje, përfaqëson vlera të rëndësishme natyrore dhe peizazhore që duhet të ruhen.
Sipas Inspektoratit, lëvizja e pakontrolluar e automjeteve off-road dhe motoçikletave shkakton dëme në peizazhin natyror, mbulesën bimore, tokën dhe habitatet natyrore.
Thirrja për respektimin e rregullave vlen për të gjithë territorin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, e jo vetëm për zonën e Moknës.
Inspektorati ka bërë të ditur se kontrollet dhe mbikëqyrja në terren do të vazhdojnë, ndërsa ndaj personave që shkelin rregullat do të ndërmerren veprimet përkatëse ligjore, përfshirë shqiptimin e gjobave.
“Natyra nuk është pistë garash! Mbrojtja e saj është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në apelin e Inspektoratit



