ATK me aksion kontrolli në lokalet e natës dhe qendrave të masazhit, zbulohen 103 punëtorë të padeklaruar

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se ka zhvilluar kontrolle në lokalet e natës, qendrat e masazhit dhe bizneset me veprimtari të ngjashme, ku ka evidentuar një sërë parregullsish tatimore.

Sipas njoftimit të ATK-së, gjatë pjesës së dytë të muajit nëntor janë inspektuar gjithsej 79 biznese, të gjitha të regjistruara.

Nga kontrollet është konstatuar se 33 biznese nuk ishin të pajisura me arka fiskale, ndërsa 41 prej tyre nuk lëshonin kuponë fiskalë.

Po ashtu, gjatë inspektimeve janë identifikuar 103 punëtorë të padeklaruar, ndërsa 49 raste janë dërguar për trajtim të mëtejmë.

ATK ka bërë të ditur se masat ndëshkimore për parregullsitë e evidentuara do të përcaktohen në bazë të vlerësimeve dhe rekomandimeve përkatëse.

Këto kontrolle janë realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Inspektoratin e Punës.

Artikuj të tjerë

Back to top button