Maqedonci për FSK-në në Veri: Do ta respektojmë zotimin, pavarësisht që s’pajtohemi me kufizimet që ka për veprim FSK

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se asnjëherë nuk ka bërë rizotim të letrës së ish-kryeministrit Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO’s, Anders Fogh Rasmussen, ku jepet zotimi se FSK nuk shkon në veri pa pëlqimin paraprak të NATO-s.
I pyetur nga gazetarët në konferencën për media, ka thënë se asnjëherë nuk ka bërë rizotim të kësaj letre, por se do ta respektojnë “pavarësisht se nuk pajtohen”.
“Sa i përket respektimit të zotimit të vitit 2013 sepse shpesh është keqinterpretuar edhe një letër që e kam dërguar pikërisht për komandantin e KFOR-it. Asnjëherë nuk kam bërë rizotim dhe ministri i Mbrojtjes nuk bën rizotim të një letre e cila është bërë si zotim nga një kryeministër për sekretarin e përgjithshëm të NATO-s. Ne kemi vazhduar të theksojmë gjithmonë që do të respektojmë zotimin e vitit 2013, pavarësisht që ne nuk pajtohemi assesi me kufizimet që ka për veprim FKS në veri të vendit pa koordinim paraprak me KFOR-in mirëpo do të vazhdojmë ta respektojmë këtë zotim duke u koordinuar gjithmonë paraprakisht me KFOR-in para se të dërgojmë trupa eventualisht në pjesën veriore, më saktësisht në katër komunat veriore të vendit tonë”.
“Normalisht që ne në vazhdimësi ofrojmë kapacitete tona që të jemi në mbështetje të KFOR-it dhe gjitha institucioneve të sigurisë aty ku shihet e nevojshme t’i kemi dhe vazhdojmë t’i diskutojmë që FSK të jetë pjesë e përpjekjeve të KFOR-it për paqe dhe stabilitet në Republikën e Kosovës”, ka thënë Maqedonci.
