
Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor në Kaçanik, nën dyshimin për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Sipas IPK-së, rasti ka ndodhur më 17 nëntor në fshatin Kaçanik i Vjetër, ku një patrullë me katër policë kishte arrestuar dhe prangosur një qytetar. Dyshohet se njëri nga zyrtarët ka përdorur forcën edhe pasi qytetari ishte prangosur, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Hetimet fillestare kanë ngritur dyshime edhe për mosnjoftimin e prokurorit kujdestar lidhur me rastin.
Polici i arrestuar është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit, ndërsa IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tij dhe të tre zyrtarëve të tjerë të përfshirë në këtë rast.



