
Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë vendosur ta pezullojnë përkohësisht protestën e paralajmëruar për rritjen dhe nivelizimin e pagave, përfshirë edhe kërkesën për pagën e 13-të.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, ka bërë të ditur se vendimi është marrë pas takimeve me menaxhmentin dhe bordin e korporatës, të cilët, sipas tij, kanë shprehur gatishmëri për shqyrtimin e kërkesave të punëtorëve.
Jashari ka treguar se gjatë javës së kaluar janë zhvilluar takime të përbashkëta, ndërsa sot janë mbajtur edhe konsultime me punëtorët në të tri divizionet: atë të prodhimit të qymyrit, Termocentralin “Kosova A” dhe Termocentralin “Kosova B”.
“Siç e dini deri sot kemi paralajmëruar një protestë paqësore për dy kërkesa: ngritje të pagave dhe nivelizimi i tyre së bashku me pagën e 13. Gjatë javës që shkoi ka pasur disa zhvillime ku ne kemi pasur ftesë nga menaxhmenti dhe bordi i KEK-ut për takim. Kemi zhvilluar takime të përbashkëta për shqyrtimin e kërkesave të sindikatës në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje. Menaxhmenti dhe bordi ka shprehur vullnet dhe gatishmëri për t’i shqyrtuar kërkesat, kështu që me mirëkuptimin e të dy palëve dhe sot kemi pasur në tre divizionet —në divizionin e prodhimit të qymyrit, termocentralin Kosova A dhe në termocentralin Kosova B takime me të gjithë punëtorët dhe kemi marrë konfirmimin për një pezullim të përkohshëm të protestës derisa të shqyrtohen kërkesat në tërësi”, ka thënë Jashari.
Megjithatë, pezullimi i protestës nuk nënkupton heqjen dorë nga kërkesat e punëtorëve. Jashari ka paralajmëruar se sindikata do t’i japë kohë dialogut, por në rast se nuk arrihen rezultate konkrete, protesta mbetet një mundësi e hapur.
“Në momentin që do të ketë rezultate të kënaqshme për punëtorë, ne do t’i njoftojmë jo vetëm punëtorët, por edhe juve. Për momentin jemi në bisedime dhe pritet të vazhdojë. Me vetë faktin që kemi thënë e kemi pezulluar përkohësisht protestën, kjo tregon që ne kemi një afat të limituar për rezultate, në mënyrë që t’i japim hapësirë dialogut. Në momentin kur nuk ka dialog edhe nuk shterohen mundësitë e shqyrtimit të kërkesave dhe nuk ka rezultate, pa diskutim që ne e kemi opsionin e protestës”, ka shtuar Jashari.
Përveç kërkesave për rritjen dhe nivelizimin e pagave, përfshirë pagën e 13-të, sindikata ka ngritur edhe shqetësime lidhur me sëmundjet profesionale nga të cilat, sipas saj, vuajnë disa punëtorë të KEK-ut. Ajo ka shprehur dyshime se këto probleme shëndetësore mund të jenë të lidhura me kushtet e punës.



